Shifrat e INSTAT konfirmojnë shenjat e para të qarta të iflacionit: – Stuhia ekonomike është duke mbërritur

2 Maji 2022

Të dhënat financiare të publikuara së fundmi sugjerojnë se stuhia ekonomike është duke mbërritur tashmë, në atë që ekonomistët e njohin si stagflacion, ku qytetarët vuajnë inflacion të lartë, ndërkohë që bizneset vuajnë kërkesë të ulët.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT [link] tregojnë rritjen e pandalur të çmimit të mallrave ndërkohë që volumi fizik i tyre është në rënie.

Stagflacioni është situata në të cilën qytetarët, përballë presionit për të paguar më shumë për disa mallra të domosdoshme, si bukë, vaj apo karburante, detyrohen të kursejnë në gjithçka tjetër që nuk është e domosdoshme aty për aty.

Këto lloj tronditjesh sjellin rënie të prodhimit, investimeve dhe vendeve të punës, pra stanjacion ose recesion, të shoqëruar me inflacion. Kjo situatë ndodh kur goditjet inflacionuese janë të jashtme, siç është aktualisht rritja e çmimeve për shkak të Luftës në Ukrainë.

E gjithë bota është duke u përballur me një situatë të ngjashme. Në SHBA në tremujorin e parë u shënua rënie ekonomike në masën 1.4% dhe inflacioni më i lartë në dyzet vjet.

Në Eurozonë, inflacioni u rrit me 7.5% në mars pasi çmimet e energjisë u rritën me 38% në krahasim me një vit më parë.

Gazeta Dita