Shembja e teatrit, AMT i drejtohet presidentit të PE për dëgjesë speciale

4 QERSHOR 2020

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit- zyrtare ka dërguar një letër në adresë të zotit David Maria Sassoli, president i Parlamentit Europian, përmes së cilës kërkohet një dëgjesë speciale kushtuar shembjes së Teatrit Kombëtar. “Në emër të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë ne dëshirojmë të sjellim në vëmendjen e Parlamentit Europia, një kërkesë miqësore për një dëgjesë speciale në Parlamentin Europian me organizata dhe aktivistë të shoqërisë civile shqiptare rreth shembjes të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë”, thuhet në letër. AMT vijon se Shqipëria është një përfituese neto e fondeve të BE-së miratuar nga Parlamenti Europian dhe administruar nga Delegacioni Europian. “Një dëgjesë e tillë do të ishte një akt përgjegjshmërie dhe llogaridhënieje në raport me taksapaguesit europianë dhe një rast për të bërë thirrje për transparencë publike mbi impaktin e granteve të BE-së në fushën e kulturës dhe trashëgimisë në Shqipëri për të siguruar që këto fonde përdoren siç duhet dhe me mençuri”, shprehet Aleanca. Duke pohuar se përfaqësojnë një aleancë të qytetarëve dhe artistëve, AMT vijon se që nga shkurti i vitit 2018, janë angazhuar për të ruajtur dhe restauruar Teatrin Kombëtar ekzistues të ndërtuar në 1938-‘39 dhe shembur së fundmi në një aksion qartësisht të paligjshëm të iniciuar nga Bashkia e Tiranës, si dhe për të bllokuar ndërtimin e një teatri të ri në qendër të qytetit të Tiranës. “Disa akuza dhe procese gjyqësore janë në zhvillim kundër kryebashkiakut të Tiranës dhe zyrtarësh të tjerë publikë të përfshirë në këtë situatë. Shembja e teatrit u urdhërua dhe u krye më 17 maj 2020, si rezultat i një operacioni të urdhëruar nga Bashkia e Tiranës, i mbështetur nga rreth 1500 oficerë policie, i cili ndërkombëtarisht dhe veçanërisht nga disa përfaqësues të lartë të BE-së, u dënua si një veprim barbar dhe një shkelje e shtetit të së drejtës dhe e masave të sigurisë publike të zbatuara nën regjimin Covid-19”, shprehet Aleanca në letrën drejtuar zotit David Maria Sassoli, president i Parlamentit Europian. Për këtë dëgjesë, AMT shprehet se një grup artistësh dhe intelektualësh shqiptarë do të udhëtonte nga Tirana për t’i prezantuar audiencës së shquar të përbërë nga deputetë të Parlamentit Europian arsyet se pse çështja e Teatrit Kombëtar është kthyer në një çështje për mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës

Gazeta sot