”SHBA të hyjë në Ballkan, të përfundojë misionin e 1999”/ Ekspertët: BE dështoi, procesi i zgjerimit ka ngecur dhe forcat nacionaliste serbe po ushqejnë konflikte

6 2021 11:53

”SHBA të hyjë në Ballkan, të përfundojë misionin e 1999”/ Ekspertët: BE dështoi, procesi i zgjerimit ka ngecur dhe forcat nacionaliste serbe po ushqejnë konflikte

Viti i ardhshëm shënon 30 vjet nga koha kur Shtetet e Bashkuara e njohën Bosnje-Hercëgovinën si vend të pavarur e Sovran. Ndërhyrja e Amerikës qe vendimtare për sigurimin e paqes atje përmes Marrëveshjes se Dejtonit.

Të njëjtën gjë bëri dhe në Kosovë me ndërhyrjen e Nato-s në 1999 dhe negociatat e Marrëveshjes së Rambujesë që përfunduan konfliktin me serbët. Tani, është koha që SHBA-ja të dëshmojë sërish lidershipin e saj në Ballkanin Perëndimor, thuhet në një shkrim të Just Security, media e afërt me Kongresin amerikan.

Ne analizën e gjatë theksohet se SHBA-ja u tërhoq në favor të lidershipit të BE-se në rajon, por tani që procesi i zgjerimit ka ngecur, forcat nacionaliste serbe po ushqejnë sërish konflikte. Është koha që Washingtoni ta njohë këtë cështje kyce, e të rikthehet me qëllim mbrojtjne e trashëgimisë së tij por edhe të perspektivës së paqes së vazhdueshme në Europë.

“Ndërhyrjet politike dhe ushtarake në rajon kanë dëshmuar qartë rëndësinë e madhe të një qasjeje proactive perëndimore”, theksohet në shkrim.

Sipas tre autorëve të artikullit, mungesa e një angazhimi konkret për vendet e Ballkanit Perëndimor në raport me anëtarësimin në BE, e ka inkurajuar Serbinë të ripërtërijë agresionin e saj në rajon, të ndihmuar dhe nga ndikimi malinj ushtarak dhe ekonomik i Rusisë e Kinës.

Në shkrim theksohet se 12 organizata dhe 33 individë kanë firmosur së fundi një letër të hapur drejtuar komisionit të çështjeve më Jashtë të Kongresit amerikan dhe administratës Biden nga komunitetet shqiptaro-amerikane, boshnjako-amerikane dhe malazezo-amerikane me thirrjen që Shtetet e Bashkuara të veprojnë tani për paqen dhe progresin duke iu kundërpërgjigjur kërcënimeve të regjimit serb, sic përshkruhet në shkrim, ndaj sigurisë në Ballkanin perëndimor.

Gazeta Dita