
Rusia rreshtohet krah Dodikut, Lavrov paralajmëron destabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe hedh akuza…
10 Shtator 2025
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, gjatë një vizite zyrtare në Moskë të martën, i dha mbështetje të plotë ish-presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, duke akuzuar Perëndimin se me veprimet e tij po shkel marrëveshjen e Dejtonit dhe po minon stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Dodik, i cili në gusht humbi mandatin e tij si president i RS pas një vendimi të formës së prerë të Gjykatës së Bosnjë-Hercegovinës që e dënoi me një vit burg, refuzon të njohë këtë realitet ligjor. Pas Beogradit dhe Budapestit, ai tashmë ka shkuar edhe në Moskë për të kërkuar përkrahje politike dhe ndërkombëtare.
Lavrov, pas takimit me Dodikun, para gazetarëve theksoi se Marrëveshja e Dejtonit është cenuar rëndë nga “ndërhyrja e ashpër e Perëndimit” dhe kjo, sipas tij, rrezikon destabilizimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor. Ai e quajti situatën aktuale në Bosnjë-Hercegovinë një “grusht shteti” dhe deklaroi se synimi i kësaj politike janë “ortodoksët në BiH”. Sipas tij, Përfaqësuesi i Lartë aktual, Christian Schmidt, është instrument i kësaj politike të Perëndimit, të mbështetur nga Gjykata Kushtetuese e BiH-së, e cila sipas Lavrovit kontrollohet nga Bashkimi Europian. “Kjo e bën të pamundur që serbët, kroatët dhe boshnjakët të zgjidhin vetë problemet e tyre”, tha ai.
Qëndrimet
Lavrov nuk kurseu fjalët për Schmidt-in, të cilin e cilësoi thjesht si “qytetar gjerman”, duke përsëritur se ai nuk është zgjedhur kurrë ligjërisht për të qenë Përfaqësues i Lartë në BiH. Në kontrast, Dodikun e quajti “president legjitim të RS”. Shefi i diplomacisë ruse paralajmëroi se Rusia do të përgatitet me kujdes për seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kur është parashikuar debati gjashtëmujor për gjendjen në BiH. Megjithatë, ai nuk komentoi paralajmërimet e Dodikut se do t’i kërkojë Moskës të përdorë veton për të bllokuar zgjatjen e mandatit të EUFOR-it, trupave ushtarake të BE-së në BiH. Gjatë konferencës për shtyp, Lavrov përdori rastin edhe për të rikthyer akuzat kundër Perëndimit për luftën në Ukrainë. Ai mohoi masakrën në Buça – ku mbi 300 civilë u vranë nga forcat ruse në pranverën e vitit 2022 – duke e cilësuar si “të sajuar”. Po ashtu, ai ironizoi pretendimet se Rusia kishte penguar avionin me të cilin presidentja e Komisionit Europian po udhëtonte drejt Bullgarisë.
Mbështetja e Dodik
Nga ana tjetër, Dodik e justifikoi agresionin rus ndaj Ukrainës duke e quajtur atë “legjitim”, madje shtoi se dëshironte “sukses për atë operacion”. Ai theksoi se Perëndimi po përpiqet ta shndërrojë BiH-në në një shtet qytetar sipas dëshirave të boshnjakëve, të cilët, sipas tij, kurrë nuk e kanë pranuar Marrëveshjen e Dejtonit. Rusia, tha Dodik, është kundër një qasjeje të tillë. “Ky është i vetmi interpretim i drejtë i gjendjes në BiH”, deklaroi Dodik, duke përsëritur se vendi është nën “okupimin ushtarak të EUFOR-it”. Përfaqësuesin e Lartë Christian Schmidt e krahasoi madje me Adolf Hitlerin.
Dodik u ankua gjithashtu se gjatë viteve të ndërhyrjes së përfaqësuesve të lartë janë imponuar 280 ligje e vendime që kanë ndryshuar në mënyrë rrënjësore strukturën e shtetit, ndërsa rreth 900 zyrtarë janë shkarkuar ose ndëshkuar. Në vazhdim, ai kritikoi aspiratat e Bosnjë-Hercegovinës për anëtarësim në BE, duke e quajtur projektin europian “të dështuar” dhe “mashtrim perëndimor”. Megjithatë, Dodik theksoi se në RS nuk ekzistojnë plane për ndarje të dhunshme, por bëri të qartë se do të kërkojë nga Lavrovi që Rusia të insistojë për mbylljen sa më të shpejtë të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR), si edhe për eliminimin e tre gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të BiH-së që emërohen nga presidenti i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Nga Gazeta Sot