Rrok Zojsi (Shkodër, 16 nëntor 1910 – Tiranë, 1995)

Është shkruar shumë rrallë për Rrok Zojzin. Madje ndonjëherë duket sikur është shndërruar si ato figurat e legjendave që ai mblidhte nëpër Shqipëri. Pas vdekjes, kolegët shkruan ndonjë artikull tek revista “Kultura Popullore” dhe gjithçka mbeti aty. Dje ai kishte 95-vjetorin e lindjes dhe 10- vjetorin e vdekjes, por për etnologun e shquar Rrok Zojzi nuk u kujtua kush. Një prej kolegëve të tij, prof.dr. Mark Tirta, tregon se vite më parë, shkencëtarët e Zagrebit ngulnin këmbë pranë zyrtarëve shqiptarë që Zojzin ta merrnin si punonjës pranë Akademisë së Shkencave në Kroaci. Rrok Zojzi filloi punë në Institutin e Shkencave në vitin 1947, duke u bërë themeluesi i sektorit të studimeve etnologjike shqiptare. “Që në fillim i kushtoi kujdes të veçantë krijimit e zgjerimit të bazës materiale për studime shkencore, krijoi arkivin e objekteve muzeale që nën drejtimin e tij arriti deri në 22 mijë njësi. Bëri eksplorime në vise të ndryshme të virgjëra të Shqipërisë, për të mbledhur të dhëna studimi dhe për të gjurmuar e fotografuar objektet muzeore që shërbenin për arkiv”, – tregon Tirta, duke shtuar se krahas arkivit të objekteve muzeore, Zojzi krijoi fototekën, skicotekën, arkivin e dorëshkrimeve, të përkthimeve e të dokumentacionit të burimeve të ndryshme të shkruara. Madje në vitin 1948 nën drejtimin e tij u ngrit Muzeu Etnologjik Kombëtar. Duke qenë njohës i mirë i disa gjuhëve i gjermanishtes, frëngjishtes e italishtes, ai voli traditën më të mirë bashkëkohore, për të ndërtuar strukturat e etnologjisë shqiptare. Sipas profesor Tirtës, Zojzi shquhej për praktikën e veçantë të punës. “Pak a shumë ndoqi metodën që dikur kishte praktikuar Franc Nopça në eksplorime: në çdo vend ku kalonte vërente, merrte shënime e jepte gjykime për gjithçka, e studionte etnokulturën në kompleks”, – thotë etnologu. “Rrok Zojzi është i pari në historinë e etnologjisë shqiptare që hartoi anketa e pyetësorë për probleme të veçanta të etnokulturës e i shpërndau në tërë viset e Shqipërisë, sidomos ndër arsimtarë, e janë marrë përgjigje sipas fakteve të terrenit”, – vazhdon Tirta. Por pavarësisht punës së pakrahasueshme, Zojzi ka qenë përherë i përndjekur prej biografisë, e cila regjimit diktatorial i linte shumë për të dëshiruar. Në biografinë e familjes numëroheshin pushkatime, arratisje e burgosje, megjithatë ai i kishte vënë për fund të gjitha këto vetëm me punë. Jo më kot e thërrisnin “arusha e maleve”, apo “alpinisti”. “Pati intelektualë të nivelit të dijes bashkëkohore që e përkrahën dhe e vlerësuan punën e tij shkencore, po pati jo pak “shkencëtarë” partiakë që e nëpërkëmbën, e keqtrajtuan, e penguan në punë, e ulën moralisht e nuk e lanë të ecte përpara. Kontaktet e diskutimet me të huajt, në shumicën e rasteve, kanë qenë për të “mollë e ndaluar”. Ka pasur ftesa për veprimtari shkencore nga Italia, Franca, Gjermania e Rumania, gjithnjë me shpenzime të palës pritëse, por asnjëherë nuk u lejua të shkojë, si njeri me “cene biografike”, – tregon Tirta, duke shtuar se gjatë viteve ‘70-’80 ka pasur 30 ftesa për në Prishtinë, po as atje nuk u lejua. Sipas Mark Tirtës, edhe një herë që u lejua të shkonte në Suedi, vetëm falë ndërhyrjes së Nexhmije Hoxhës. Megjithatë shkencëtarët e huaj e kanë vlerësuar shumë punën e Zojzit, të cilët jo rrallë herë e kanë cituar në studimet e tyre. Ai ka lënë një pasuri të tërë studimesh e materialesh burimore. Shumë syresh janë të botuara në formën e studimeve e në revista të ndryshme, të cilat nuk janë përbledhur në ndonjë botim të vetëm, ndërsa të tjera janë të pabotuara e ruhen në arkivat e Institutit të Kulturës Popullore. Duke u bërë pre jo rrallë herë edhe e “vjedhjeve” prej pseudostudiuesve, që i kanë paraqitur ato si studimet e tyre. “Zojzi është i pari që ka mbledhur në mënyrën më të gjerë të drejtën kanunore të Labërisë, që deri sot mbeti pa u sitemuar e pa u botuar e për më keq, duke u shfrytëzuar nga njëri e nga tjetri me kriter e pa kriter”, – thotë Tirta, duke shtuar se e njëjta gjë ka ndodhur edhe me monografinë e tij të pabotuar për Gjeçovin, materialet e së cilës janë përdoruar pa iu referuar emrit të Zojzit. Përndjekje, shfrytëzim, “vjedhje” e harrim.

Rrok Zojzi lindi në Shkodër më 16 nëntor 1910, në një familje zejtare. Pasi mori arsimin e mesëm në qytetin e lindjes, duke bërë detyrën e arsimtarit, u mor edhe me alpinizëm, me kërkime, gjeografi e sidomos në fushën e etnokulturës.

Gjatë viteve ‘30-’40 ai bëhet i njohur me shkrimet në revistat “Hylli i Dritës”, “Drini”, “Vatra shqiptare”, etj. Në vitin 1942 Zojzi përgatiti 34 ligjërata gjeografiko-etnologjike, për Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, që u shfrytëzuan nga radio “Tirana”, radio “Korça” e radio “Kosova”.

Në vitin ‘46 e motra, Maria dhe burri i saj u pushkatuan gjatë rezistencës antikomuniste të Postribës dhe kjo do ndikonte në jetën e Rrokut, i cili gjithnjë është parë si njeri me “cene në biografi”. Prej vitit ‘47 ka punuar si etnolog pranë Institutit të Shkencave, deri sa doli në pension në vitin 1976.

Studime në terren

Rrok Zojzi ka lënë një numër të madh studimesh të botuara në revista shkencore si: “Gjurmët e një kalendari primitiv në popullin tonë”, “Studime mbi veshjet kombëtare”, “Traditat e lundrimit në Shqipëri”, “Mbi të drejtën kanunore të popullit shqiptar”, “Gjurmë arkaike në veshjet tradicionale të popullit shqiptar”, “Arti popullor në Shqipëri”, e shumë të tjera. Ndërkohë që sipas etnologut Mark Tirta, ka të pabotuara në arkivat e Institutit të Kulturës Popullore një monografi rreth 100 faqe për Gjeçovin, studime për Çamërinë, studime mbi luginën e Shkumbinit, përmbledhje për Labërinë, etj. Mendohet se të tjera materiale e studime, mes të cilave dhe një monografi për Franc Nopçën ndodhen në shtëpinë e tij.

Teksti nga Alma Mile/Gazeta Shekulli