Rrënimi i rrënojave antike, një proces i pandalshëm. –

Engjëll SERJANI

Shkatërrohen muret e vendbanimit të fortifikuar rreth 3000-vjeçar të Selosë në Dropullin e Sipërm në Gjirokastër

Rrënimi i rrënojave antike vazhdon të jetë një proces i pandalshëm dhe tepër trishtues. Viktimë e sulmeve të dhunuesve të monumenteve antike për të kërkuar brenda tyre objekte me vlera për tregun ndërkombëtar të antikuarëve kësaj here janë muret dhe gurët e vendbanimit kështjellë, pjesë e një qytetërimi të lashtë, që ndodhen në afërsi të fshatit Selo në Dropullin e Sipërm në Rrethin e Gjirokastrës. Këto rrënoja që, sipas arkeologëve, datojnë ndoshta të moshës 2500 – 3000-vjeçare, janë dhunuar e shkatërruar nga grupe të panjohura kërkuesish klandestinë të thesareve dhe antikuarëve. Gurë “ciklopikë” të përmasave të jashtëzakonshme, që peshojnë me dhjetëra tonë janë lëvizur nga muret dhe janë rrokullisur në greminë, duke shkatërruar në pjesën më të vizitueshme një nga dëshmitë më monumentale të jetës antike në territorin e Shqipërisë.

Histori e lashtë, që gremiset në humnerat e të sotmes

Pjesë e një grupi të vogël vizitorësh të pasionuar pas historisë së lashtë dhe arkeologjisë, mes tyre juristja amerikane që prej më shumë se 23 vjetësh punon e jeton në Shqipëri, znj. Katheen Imholz, juristi dhe konstitucionalisti i njohur shqiptar, Krenar Loloçi, dhe etnografi popullor nga Klishari që banon në fshatin Vrisera të Dropullit të Sipër, minoritari grek, Koço Çavo, udhëtuam këtë fundjavë drejt rrënojave të Selosë, një monument i vendosur në një terren tepër të aksidentuar në grykën shkëmbore të lumit të Klisharit. Sipas shpjegimeve paraprake të mikut tonë, arkeologut prof. dr. Dhimitër Çondi, muret me gurë jashtëzakonisht të mëdhenj që gjenden në të majtë të rrjedhës së lumit të Klisharit janë pjesë e një siti të lashtë arkeologjik, që shkon thellë në periudhën midis shekujve IV-II dhe i përkasin një fortifikimi të banuar, që nëpërmjet kullave dhe pozicionit jashtëzakonisht dominant kontrollonte mjaft mirë lëvizjet në luginën e ngushtë midis fshatrave Klishar dhe Selo. “Bëhet fjalë për mbrojtjen e fortifikuar të një territori të banuar në lashtësi, që gjendet midis maleve të larta të Morganës dhe në kufijtë midis tri fiseve të kashta: Kaonisë, Thesprotisë dhe Molosisë”. Ky vendbanim i lashtë nuk është eksploruar, gërmuar dhe studiuar plotësisht nga arkeologët. Vetëm në mesin e viteve ’80, aty është bërë një sondazh nga arkeologu profesor Dhimosten Budina, i cili zbuloi disa banesa në brendësi të murit të madh dhe gjeti disa objekte qeramike që dëshmonin për një vendbanim me ushtarë dhe banorë civilë.

Monumenti që të imponohet me vertikalitetin dhe madhështinë e tij, në pjesën më të mundshme për t’u vizituar, përbëhet nga një mur i madh fortifikues rreth 110 metra i gjatë, rreth 3 metra i gjerë dhe vende-vende edhe 4-5 metra i lartë, mur i cili zbret pingul në shpatin e pjerrët të malit nga ana e fshatit të Selosë drejt shtratit të lumit dhe përfundon në një kullë vrojtimi të përmasave 4 x 5 metra. Pikërisht në dyshemenë e kësaj kulle dhe në pjesën qendrore të mureve të kullës, që është dhe pjesa më e dukshme për syrin e vizitorit që lëviz në rrugën këmbësore që kalon paralel me rrjedhën e lumit, dhunuesit e panjohur të monumentit kishin hapur një gropë rreth 1, 2 metra të thellë, ndërkohë që me sa duket për të gërmuar më thellë ata kishin rrokullisur në greminë një pjesë të mirë të gurëve të murit perëndimor të kullës. Duke parë gurët disa tonësh të lëvizur nga muret e kullës, disa mbetje gurësh të thyer dhe pak mbetje qeramike, të krijohet ideja se dhunuesit kanë përdorur shpërthim eksplozivi dhe leva për të arritur të depërtonin në kuotat dhe objektivat e tyre në brendësi të kullës. Sipas arkeologut Vladimir Qirjaqi, rrënojat e vendbanimit të fortifikuar të Selosë janë shpallur “monument kulture” qysh në vitin 1963, periudhë kur monumentet e kulturës administroheshin nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, dhe kanë qenë objekt debatesh dhe diskutimi shkencor, por kjo zonë e mbrojtur asnjëherë nuk është përfshirë seriozisht në programet e gërmimeve arkeologjike, asnjëherë nuk është menaxhuar dhe përfshirë në guidat turistike të rajonit.

Trishtimi para një monumenti unikal në rrënim

Përballja me një dëshmi të lashtësisë është me të vërtetë emocionuese. Por në një rast si ky, përballë rrënojave në rrënim të Selosë, as që bëhet fjalë për impresion nga historia. Këta gurë të mëdhenj, që kanë sfiduar shekull pas shekulli tërmete e katastrofa, duke qëndruar njëri mbi tjetrin, kur thërrmohen e gremisen të dhimbsen. “Dy gjëra më trishtojnë më shumë se gjithçka kur qëndroj përpara këtij monumenti të rrallë dhe kësaj dhune kriminale të dëshmive kaq të hershme të jetës njerëzore, fakti që ca gurë që nuk i lëvizi dot koha për rreth tre mijë vjet shkojnë dhe i hedhin në erë qetësisht disa persona që me siguri janë të njëjtët persona që i kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme trashëgimisë sonë kombëtare, ndonjëherë edhe me vlera unikale ndërkombëtare, për qëllime krejt banale. Dhe natyrisht më bën përshtypje që për vlera të tilla unikale nuk ka fare interesim nga strukturat përkatëse shtetërore dhe studimore-shkencore, nga njësitë e menaxhimit të kulturës kombëtare për të pasur një guidë, një botim, mandej nuk ka asnjë tabelë orientuese për vizitorët. Këto janë me të vërtetë shumë trishtuese”, u shpreh juristi Krenar Loloçi, duke qëndruar përballë gjurmëve të dhunës mbi këtë monument.

Rrënimi më i madh është harresa

Sigurisht, rrënimi më i madh është harresa. Këtë e ka kuptuar mirë edhe juristja amerikane, znj. Katheen Imholz, që është njëkohësisht edhe një gjurmuese dhe studiuese e pasionuar pas arkeologjisë dhe lashtësisë. Megjithëse në një moshë që nuk e lejon lëvizjen në terrene të vështira, ajo çdo fundjavë udhëton drejt siteve dhe monumenteve sado lag të ndodhen. Sot ajo qëndron e habitur përpara pamjes së trishtë të monumentit, jo vetëm i shkatërruar nga persona të panjohur, por njëkohësisht i braktisur, i mbuluar nga pemët, shkurret dhe vegjetacioni, i lënë në mëshirë të fatit nga strukturat që menaxhojnë dhe ruajnë monumentet e kulturës. “Duket fare qartë harresa dhe braktisja. Ky është një monument i rrallë që duhet të ruhet dhe të promovohet, pasi ai ndodhet në një rajon mjaft të pasur me dëshmi e burime të pasura antike. Në këtë rajon ka mjaft monumente që paraqesin rëndësi të dorës së parë, sepse kanë dëshmi arkeologjike të zbuluara, si tumat e Kakavijës, kalaja antike e Pepelit, Varri Monumental i Jorgucatit, rrënojat e Melanit, qytetet e jashtëzakonshme të Hadrianopolit dhe Antigonesë, zona me interes për t’u studiuar dhe vizituar si Stegopoli, kalaja e Labovës së Kryqit e shumë e shumë monumente të tjera”, u shpreh znj. Katheen Imholz. Ajo habitet dhe pyet: “Nuk mund ta kuptoj, kalaja e Labovës së Kryqit është një monument i rrallë dhe mbresëlënës për t’u vizituar, si është e mundur që nuk promovohet, nuk ka një tabelë orientuese!? Nuk ka një tabelë sinjalizuese për manastirin e Shën Ilias në Stegopull, mungojnë guidat dhe website informuese në gjuhë të huaja? Pse kështu?!”. Shoqëruesi i grupit të vizitorëve që u përballën të parët me rrënimin e rrënojave të Selosë, banori vendas Koço Çavo, ndihet edhe më i humbur se pjesëtarët e tjerë të grupit. “Më vjen jashtëzakonisht keq. Kemi vite që në vend të lajmeve për ringritjen dhe rijetëzimin e monumenteve, dëgjojmë dhe trishtohemi me lajme që lidhen me vjedhjen dhe shkatërrimin e këtyre vlerave. Lugina e lumit Drino është një nga zonat më të pasura të Shqipërisë, me objekte, rrënoja dhe gjurmë vendbanimesh antike, bizantine dhe mesjetare, por trishtohem, pasi këto të quajtura “monument kulture” janë në rrënim të përditshëm. Sipas tij, me gjithë madhështinë që përçojnë, përtej vlerave shpirtërore, historike e artistike, sërish kujdesi për to është minimal diku, e aspak diku tjetër. Me pak kujdes e interes nga të gjitha palët mund të kthehen në pika të rëndësishme turistike, vlera të vërteta, me të cilat absolutisht mund të krenohemi dhe të bëjmë edhe turizëm kulturor sikurse nuk rreshtim të flasim për të.