15 Shtator 2026

A ishte aksioni i bujshëm i Policisë dhe IKMT-së në korrik të vitit 2025 kundër “Delvina Gas Company” një verifikim i thjeshtuar ligjor, apo pas tij fshihej një skenar i koordinuar presioni nga qeveria për t’i hapur rrugë interesave të sekserit dhe “prestanomes” së preferuar të kryeministrit Edi Ramës, biznesmenit Ron Yeffet?

Në korrik të vitit 2025, Policia e Vlorës dhe e Sarandës, së bashku me IKMT-në Tiranë dhe Inspektoratin e Mjedisit, ndërhynë në zonën e Delvinës duke arrestuar dy inxhinierë të kompanisë (Elton Malkaj dhe Luan Metaj) dhe duke shpallur në kërkim pronarin Sokol Meqemeja dhe administratorin Juglerd Ibrahimi. Pretendimi zyrtar i shtetit ishte se po ndërtohej një impiant gazi (TEC) pa leje në pronë publike.

Por kompania reagoi menjëherë, duke sqaruar se bëhej fjalë për një Impiant Pastrimi që nuk ishte TEC, por pjesë integruese e pusit të gazit në Vendburimin e Delvinës, i përfunduar prej tre vitesh dhe i mbrojtur nga Ligji për Hidrokarburet dhe kontrata koncesionare me shtetin shqiptar. Prapa kësaj fasade kontrollesh dhe akuzash për “ndërtim të paligjshëm”, dokumentet dhe zhvillimet e mëvonshme treguan se kompania u përball me muaj të tërë presionesh, vonesash lejesh, gjobash ndaj aksionerit kryesor dhe përpjekjesh për bllokimin e aktivitetit financiar.

Sipas denoncimeve të vetë kompanisë dhe audiopërgjimeve të bëra publike nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, në qendër të këtij interesi për të marrë nën kontroll fushën e gazit të Delvinës ishte pikërisht biznesmeni izraelit Ron Yeffet. Përballë kësaj situate të rënduar dhe kërcënimeve direkte nga qeveria shqiptare, “Delvina Gas Company” zgjodhi ta çojë betejën në një nivel tjetër, duke e zhvendosur atë në Uashington.

Detajet nga kontrata

Gazetari Flamur Vezaj ka siguruar kontratën dhe dokumentet e depozituara në Departamentin amerikan të Drejtësisë, ku zbulohet se “Delvina Gas” angazhoi “Mercury Public Affairs LLC”, firmë me lidhje të forta në rrethin e Donald Trump. Mes figurave kryesore të saj është Bryan Lanza, këshilltar i Trump dhe ish-drejtues komunikimi i ekipit të tranzicionit presidencial.

Kontrata parashikonte lobim direkt në Shtëpinë e Bardhë, Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentin e Shtetit, me një tarifë prej 100 mijë dollarësh në muaj. “Delvina Gas” u ka paraqitur amerikanëve një version tepër serioz të konfliktit. Në materialin e shpërndarë në Washington nga Mercury, kompania pretendon se kishte informacione se aktorë të interesuar për të marrë kontrollin e koncesionit kishin ushtruar presion mbi qeverinë shqiptare për arrestimin e drejtuesve të saj. Materiali mban një titull të pazakontë për një kompani që operon në Shqipëri: “THREATS FROM ALBANIAN GOVERNMENT” – “Kërcënime nga qeveria shqiptare”.

“Delvina Gas” u thotë amerikanëve se disa drejtues të saj u arrestuan në korrik 2025, pasi autoritetet pretendonin se kompania po ndërtonte një central pa lejet e nevojshme. Por kompania ngrinte dyshime për motive politike dhe për interesa që kërkonin kontrollin e koncesionit. Sipas versionit të “Delvina Gas”, drejtuesit u liruan për mungesë provash, por problemet nuk përfunduan aty. Kompania pretendonte se qeveria vazhdoi ta “shtrëngonte” përmes vonesave të lejeve, kërcënimeve me gjoba dhe pengimit të mëtejshëm të aktivitetit të biznesit.

Në dokument hidhet edhe një tjetër akuzë e rëndë. “Delvina Gas” pretendonte se gjatë kësaj periudhe aksioneri kryesor ishte goditur me gjoba në bizneset e tij me synim bllokimin e aktivitetit financiar, ndërsa kompania kishte më shumë se tre vjet që priste lejen për zhvillimin e fushës së gazit. Sipas saj, kjo binte ndesh me marrëveshjen e lidhur me qeverinë në momentin e blerjes së koncesionit. Pikërisht në këtë klimë “Delvina Gas” firmosi më 22 shtator 2025 marrëveshjen me “Mercury Public Affairs LLC”.

Më 2 tetor kontrata u depozitua pranë njësisë FARA të Departamentit amerikan të Drejtësisë. Mercury deklaroi zyrtarisht se shërbimet për “Delvina Gas” do të përfshinin marrëdhënie me publikun, komunikim dhe government relations, përfshirë kontakte me mediat dhe zyrtarët e qeverisë amerikane. Çmimi ishte i lartë: 100 mijë dollarë në muaj, plus shpenzimet e aktivitetit. Kontrata fillestare parashikonte vazhdimin e marrëdhënies deri më 21 mars 2026, me mundësi rinovimi me marrëveshjen e të dyja palëve. Vetëm gjashtë muajt fillestarë përfaqësonin një angazhim nominal prej rreth 600 mijë dollarësh, pa llogaritur shpenzimet. Por historia nuk duket se është mbyllur në mars. Kontrolli në regjistrin aktual FARA tregon se më 10 shtator 2026, “Mercury Public Affairs” vazhdonte të figuronte si registrant dhe “Delvina Gas Company” si foreign principal, me datë regjistrimi 2 tetor 2025. Pra, marrëdhënia FARA nuk rezultonte e mbyllur në atë datë. Por është fakt se marrëdhënia vazhdonte të figurojë aktive në regjistrin amerikan edhe muaj pas skadimit të periudhës fillestare.

Zgjedhja e Mercury merr rëndësi edhe për shkak të Bryan Lanza. Lanza është partner i firmës dhe ka mbajtur poste të rëndësishme pranë Donald Trump. Ai ka qenë zëvendësdrejtor i Komunikimit i fushatës Trump–Pence në vitin 2016 dhe më pas drejtor i Komunikimit i ekipit të tranzicionit presidencial të Donald Trump, pas fitores së zgjedhjeve. Dokumentet e FARA tregojnë gjithashtu se Bryan Lanza u regjistrua përmes formularit individual të agjentit (Short Form) nën Mercury më 2 tetor 2025, pikërisht në të njëjtën ditë kur u regjistrua marrëveshja e Mercury me “Delvina Gas”. Në regjistrin e Mercury figuron edhe një regjistrim i ri i këtij lloji për Lanza më 3 gusht 2026. Dhe kontrata tregon qartë se çfarë kërkohej nga Mercury.

Firma duhej të ndërtonte strategjinë e “Delvina Gas” rreth “investor protections”, mbrojtjes së investitorëve; “energy independence”, pavarësisë energjetike; dhe të krijonte një narrativë me ndikim të lartë për kontributin e kompanisë në sigurinë energjetike transatlantike. Mercury merrte përsipër të angazhonte zyrtarë kyç të ekzekutivit amerikan, ta poziciononte Delvina Gas si një “partner strategjik të Shteteve të Bashkuara” dhe të krijonte mundësi për kontakte të drejtpërdrejta me administratën.

Objektivat e lobimit shkonin deri në nivelet më të larta të pushtetit amerikan, duke përfshirë Shtëpinë e Bardhë dhe Zyrën Ekzekutive të Presidentit, Këshillin Ekonomik Kombëtar, Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Këshillin e Politikës së Brendshme dhe Zyrën e Personelit Presidencial, e cila merret me përzgjedhjen dhe emërimet në administratë. Në Departamentin amerikan të Shtetit, lobimi synonte Byronë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Byronë e Burimeve Energjetike, si dhe Zyrën e Shefit të Protokollit dhe Emërimeve Diplomatike.

Por dokumenti i 28 tetorit 2025 tregon se çfarë kërkonte konkretisht “Delvina Gas” pasi kishte siguruar këtë kanal lobimi. Kërkesa është vetëm dy rreshta: të ndërhynte pranë qeverisë shqiptare dhe t’i kërkonte drejtpërdrejt qeverisë Rama të ndalte presionin ndaj “Delvina Gas Company” me ‘metoda të papërshtatshme’.

Pra, Delvina Gas nuk po kërkonte vetëm të promovonte gazin shqiptar në Washington. Në dokumentin që Mercury shpërndante në emër të saj kishte një kërkesë eksplicite për ndërhyrje pranë qeverisë Rama. Këto dokumente marrin një tjetër peshë pas audiopërgjimit të publikuar nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, nga i cili pretendohet se personi i njohur si sekser, Ron Yeffet, synonte të merrte nën kontroll koncesionin e gazit të Delvinës.

Për ta ngritur çështjen nga një konflikt tregtar shqiptar në një problem amerikan, kompania e lidhi Delvinën me interesat strategjike të SHBA-së. Materiali pretendonte se politikat e qeverisë shqiptare po pengonin investitorët amerikanë në sektorin energjetik dhe argumentonte se Shqipëria ndodhet në një zonë gjeostrategjike me rëndësi për Europën, ndërsa kontinenti kërkon të diversifikojë furnizimin me energji larg Rusisë.

Dhe në lojë janë rezerva potencialisht të mëdha.

Sipas “Delvina Gas”, koncesioni mbulon 234 kilometra katrorë. Kompania pretendon se eksplorimet kanë identifikuar rreth 425 miliardë këmbë kub gaz potencialisht të rikuperueshëm, ndërsa rreth 500 miliardë këmbë kub të tjera duhet ende të eksplorohen.

Testet e fundit, sipas kompanisë, kishin treguar flukse prej 150 mijë deri në 400 mijë metra kub gaz në ditë. Synimi ishte hapja e puseve të tjera, rritja e prodhimit dhe, më e rëndësishmja, lidhja e fushës së Delvinës me gazsjellësin TAP, në mënyrë që gazi të mund të eksportohej ndërkombëtarisht.

Materiali nuk ishte një memo që mbeti në sirtarët e kompanisë. Në fund të tij shkruhet qartë se ishte shpërndarë nga Mercury Public Affairs, agjent i huaj i regjistruar, në emër të “Delvina Gas Company”, dhe se informacioni ishte depozituar pranë Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Në këtë pikë historia lidhet edhe me ardhjen e përfaqësuesve të rinj amerikanë në Tiranë. Duke qenë se kontrata parashikon angazhim me Departamentin e Shtetit dhe “Delvina Gas” kërkon shprehimisht ndërhyrje pranë qeverisë shqiptare, është e arsyeshme që çështja e kompanisë të jetë pjesë e dosjeve diplomatike amerikane për Shqipërinë. Ku nuk përjashtohet mundësia se një nga detyrat e para të ambasadorit amerikan është mbrojtja e “Delvina Gas”.

Dhe pikërisht tani, kur në Shqipëri kanë dalë audio-përgjimet ku pretendohet se diskutohet edhe marrja e fushës së gazit të Delvinës, kjo e fundit e denoncuar në Washington muaj më parë se interesa të caktuara kërkonin kontrollin e koncesionit dhe kishte paguar një firmë me lidhje të forta në rrethin e Trump për të kërkuar mbështetjen e administratës amerikane.