Romani më i ri i autorit Nexhat Çoçaj, – “Zërat pa fytyra”.

Nga: Dr. Ermira  Ymeraj

Këto ditë nga Shtëpia  Botuese  “Fidani” e financuar nga Ministria e Kulturës,Prishtine doli nga shtypi romani më i ri i autorit Nexhat Çoçaj me një titull shumë simbolik “Zërat pa fytyra”, që në fakt është një roman autobiografik, në të cilin flet për kohën sa ka qenë i verbuar gjatë shërbimit ushtarak në vitin 1983-85. Ndonëse autori e ka titulluar “Zërat pa fytyra, ai flet për ngjarjet që i ka përjetuar gjatë atyre ditëve sa është verbuar në kazermën ushtarake të ish APJ-së, kur  jo vetëm autori, por  edhe me qindra të ri tjerë shqiptarë i nënshtroheshin presionit të regjimit serb. Në anën tjetër mbijetesa  e kryepersonazhit është një inkurajim për të tjerët se si një i ri i verbuar nga regjimi , ia  del që të shkollohet dhe të angazhohet në jetë duke i shërbyer edhe shoqërisë.

Nexhat Çoçaj

Më gjerësisht të shihet se çfarë mendojnë redaktoraja e librit Dr. Ermira Ymeraj dhe recensentët prof. Besim Cengu e  Dr. Nevirje  Bislimi – Ismaili:

Një vizion ndryshe i jetës, që na trondit me pamjet e saj drithëruese vjen natyrshëm te lexuesi, kjo jo falë thjeshtësisë së rrëfimit në dukje, po falë ndryshimit të jetës nën ndikimin e rrethanave, zhvillimit të ndjenjës, pasionit, si dashuron verbëria, si urren mizoria, si luftojmë, si ndeshemi për të vijuar ekzistencën, si i përballojmë konfliktet e llojeve të ndryshme, si njerëzorja mund çnjerëzoren. Dhe kjo jo falë dhimbjes që provon po falë radhitjes mjeshtërore të hollësive nga e cila prodhohet mendimi përfundimtar i një jete. Janë vitet e jetës së autorit – hero mes jetëve të tjera që e kanë rrethuar.

Nexhat Çoçaj

E ndodhur si lexuese përballë rrëfimit dhe dialogut të një zëri me fytyrat e panjohura, priresh që në faqet e para imagjinata jote, nisur nga shtresat kuptimore të titullit të rrokë tinguj që harlisen në vallen e ngjarjeve të jetës. Ndërkohë, tek mbërrin në identifikimin e rrëfyesit njëherësh dhe përjetuesit të dramës së humbjes, si lexuese thërret, vuan shkallët e dhimbjeve, prek çastet e pikëllimit,. Shtyhesh të ëndërrosh si ai, ikjen nga terri i syve të humbur, dridhesh, qan , mendon po ato ndjesi të heroit. E gjitha kjo, jo falë imagjinatës, po falë vërtetësisë së një realiteti të jetuar nga personazhi- autor.