25 Janar 2026

I ftuar në një emision televiziv, Nefail Maliqi, gazetari shqiptar në Gjenevë, u shpreh se mospjesëmarrja e kryeministrit Edi Rama në Samitin Botëror Ekonomik në Davos përbën një dëm serioz për imazhin dhe interesat e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Sipas Maliqit, ndërsa liderë nga e gjithë bota përfshirë presidenten e Kosovës Vjosa Osmani ishte prezent dhe aktivë në një nga tryezat më të rëndësishme globale, Rama zgjodhi të mungojë, duke i lënë shqiptarët pa përfaqësim në një moment kyç për paqen dhe zhvillimet gjeopolitike.

Ai theksoi se kjo mungesë nuk mund të justifikohet me alibi politike apo vizita dytësore, pasi Davosi është vendi ku merren vendime dhe krijohen aleanca, e jo ku bëhen fotografi për konsum të brendshëm. Sipas tij, ndërsa flamuj të tjerë valonin në Davos, mungesa e flamurit shqiptar ishte një mesazh i qartë për një politikë tërheqjeje dhe shmangieje nga përgjegjësitë ndërkombëtare.

Pjesë nga deklarata:

Samitin botëror e kanë ndjekur rreth 400, mbi 400 gazetarë nga të gjitha mediat botërore prestigjioze. Dhe këtu thashë, ditën e parë s’e njiheshim, po ne ishim një, po dy shqiptarë. Isha i kënaqur që një shqiptar ka arritur ato suksese dhe punonte në një medium ndërkombëtar. Bashkëpunimi filloi aty për aty. Pas dy ditëve, domethënë të punimeve dhe bashkë edhe këmbëngulim informacionesh. Ajo më shumë për çështje ekonomike.

Për dallim nga vitet e mëparshme, do të thoja se sivjet forumi ekonomik botëror kishte më pak tema diskutimi, por kishte më shumë dinamizëm: protesta, anti-globalistët, protesta pro-Palestinë, kundër Izraelit, kundër Palestinës, e kundërshti të tjera. Gjatë sesioneve kishte edhe kundërshti dhe replika, sidomos me SHBA-të dhe evropianët, lidhur jo vetëm me taksat, por edhe për Ronald, Don Gazën, Ukrainën, Iranin dhe Venezuelën. Kur përmenda Venezuelën, më kujtoi Richard Grenell; edhe pse mediat serbe shkruanin se ai ishte i dërguar special i Trumpit në Venezuelë, ai duhej të ishte këtu për këtë çështje, për këtë krizë, por nuk u pa fare.

Sa i përket atmosferës, ishte shumë dinamike; ditët ishin shumë aktive, me ndeshje mes njerëzve, tubime vazhdimisht në sesione, nëpër salla të ndryshme. Rrugët ishin plot policë; mua madje më dukej sikur isha në një luftë frontale të maskuar.

Po, ishte e vështirë për shkak të sigurisë, sepse aty ishte një personalitet, një president i fuqishëm, zotin Trump. Ishte shumë problem, bile edhe ne kishim mes nesh, mes sigurimit të policisë, një “luftë të vogël”, duke u shtyrë me mikrofone, bagazhe dhe kamera, dhe nuk ishte aspak lehtë të depërtoje. Sikur të ishim në vatrat e luftës, sinqerisht, por megjithatë sjelljet kanë qenë deri diku të mira, edhe pse nganjëherë stresi i stafit e bënte situatën të komplikuar.

Ne shqiptarët nuk jemi mësuar t’i shohim personalitetet tona, qofshin nga Tirana apo Prishtina, në samite botërore. Por vitet e fundit po ndodh. Kur e sheh Vjosa Osmanin apo Albin Kurtin në mesin e personaliteteve botërore, mbetesh jo vetëm ti, por edhe të tjerët me gojë hapur; të gjithë i kishin sytë tek ata, për të dëgjuar çfarë do të flasin — një vend i vogël, por fjalë të mëdha.

Takimi i fundit i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Davos me presidentin amerikan bëri bujë jo vetëm në mediat e Ballkanit, por edhe në ato ndërkombëtare. Osmani dje e pamë krah për krah, dorë për dore me presidentin, domethënë me personin më të fuqishëm në botë, çka bëri që Kosova të gjendet mes shteteve nënshkruese të Bordit të Paqes. Republika e Kosovës dje u bë nënshkruese e këtij bordi, një mekanizëm ndërkombëtar i themeluar me iniciativën e presidentit amerikan Donald Trump, me synim rindërtimin dhe stabilizimin e Gazës pas luftës dyvjeçare në rajon.

Ky bord nuk ka si qëllim vetëm rindërtimin e Gazës, por do të përfshijë edhe çështje globale deri në Ballkan. Në Forumin Ekonomik Botëror sivjet ishin prezent liderët nga Ballkani; këtu u gjendën kreu i shtetit të Kosovës dhe kryeministri shqiptar Albin Kurti, që dje iu bashkua presidentes Vjosa Osmani, si dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali. Për Edi Ramën u bë shumë zhurmë — po vjen, po s’po vjen — dhe më në fund abstenoi, për shkaqe që kishte kritikuar në vitet e fundit me batuta ndaj presidentit amerikan. Koincidenca e vizitës së vajzës së presidentit amerikan, Ivanka Trump, në Tiranë, i dha alibi Ramës për të justifikuar abstinimin e tij në këtë samit, më shumë për rëndësinë e paqes në glob.

Personalisht, për mua ka më shumë peshë të shoh flamurin tonë kuq e zi të valojë në një samit botëror sesa të bëj një fotografi me Ivankën në Vlorë, sepse ishte më e rëndësishme se flamuri i Serbisë në Davos.

Në anën tjetër, në Davos dëgjova një deklaratë qesharake të presidentit serb Vuçiç, i cili tha se është gati të përkujdeset apo të kontrollojë Ballkanin. Se sa mund ta kontrollojë ai Ballkanin, kur nuk është as i zoti të kontrollojë shtëpinë e vet, është një çështje tjetër. Ai ka probleme më shumë me serbët e vet dhe me protestat maratonike të studentëve, si dhe me shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët janë viktima të politikave diskriminuese të regjimit të Vuçiçit. Brukseli dhe Uashingtoni kanë reaguar disa herë për këtë. Madje Vuçiç në Davos tha se është veteran i Forumit Ekonomik Botëror, pasi e ka ndjekur për 12 vite. Nëse ai është veteran, unë jam super veteran, sepse kam ndjekur samitin që prej vitit 1990, pra 20 vite.

Në ditën e tretë të sesionit, presidenti amerikan Donald Trump mbajti një fjalim në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, i cili dridhi Evropën, duke thënë se janë në drejtim të gabuar. Trump foli një orë e 12 minuta, edhe pse ishte parashikuar të fliste vetëm 45 minuta, por askush nuk guxoi t’ia priste, sepse kishim të bënim me presidentin më të fuqishëm në botë. Kam përshtypje se ky Bord i Paqes mund të jetë një paralele me OKB-në. Edhe pse Trump tha se nuk ka ndërmend ta dëmtojë OKB-në, dyshimet shtohen kur një muaj më parë ai tërhoqi ndihmat financiare për disa fondacione, pjesa dërmuese e të cilave i përkisnin OKB-së.

OKB-ja, vitet e fundit, sidomos nga fillimi i luftës në Kosovë, ka humbur imazhin e saj; për të mos thënë ka dështuar. Unë jam gazetar i OKB-së që nga viti 1990. Më kujtohet si sot kur hyra si korrespondent për mediat tona: atëherë kishim vetëm 50 konflikte në botë, kurse sot mbi 200. Atëherë lind pyetja: cili është roli i OKB-së?

Forumi ekonomik botëror sivjet në Davos u mbajt për herë të parë pa flamurin kuq e zi. Megjithatë, një lider shqiptar, me flamur tjetër të shtetit më të ri në Evropë, përfaqësoi denjësisht shqiptarët në Ballkan në samitin botëror, veçanërisht duke theksuar se Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të ndara, por një komb me një gjuhë, shqipen. Bëhet fjalë për kryeministrin shqiptar Albin Kurti, i cili tha se Serbia më mirë se kurrë ka kuptuar se Kosova është shtet, edhe pse vazhdon të refuzojë njohjen.