Pse teknologjia e vjetër ndonjëherë është më e mbrojtur nga hakerat

29 Gusht 2026
Frika nga sulmet kibernetike po i shtyn disa njerëz t’u rikthehen teknologjive që kriminelët modernë pothuajse i kanë harruar.
Eksperti finlandez i sigurisë, Mikko Hyppönen, përdori për vite programin e vjetër të emailit Eudora, edhe pasi mbështetja teknike kishte përfunduar. Sipas tij, hakerat nuk kanë interes të sulmojnë sisteme që përdoren vetëm nga pak njerëz. Ai e quan këtë “siguri përmes vjetërsisë”.
I njëjti parim u vërtetua edhe nga studiuesi Matt Bishop. Një sistem i vjetër që ai vendosi si kurth për hakerat nuk tërhoqi pothuajse asnjë sulm; sapo u përditësua me një version modern, sulmet nisën menjëherë.
Teknologjitë analoge ruajnë avantazhe të tjera. Në Ukrainë përdoren ende harta letre dhe busulla, sepse nuk mund të bllokohen elektronikisht. Irlanda po mban në funksion sinjalizuesit radio tokësorë si alternativë ndaj GPS-it, ndërsa ushtritë vazhdojnë të përdorin radio të vjetra, të testuara prej dekadash.
Edhe shiritat magnetikë mbeten të rëndësishëm për ruajtjen e të dhënave. Ata mund të shkëputen fizikisht nga rrjeti dhe të shërbejnë si kopje rezervë pas një sulmi ransomware.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se për përdorimin e përditshëm, teknologjia moderne, e përditësuar dhe me arnimet më të fundit të sigurisë, mbetet zgjedhja më e sigurt.
E vjetra funksionon vetëm në raste të veçanta: kur është jashtë internetit, pak e përdorur ose e pamundur për t’u ndërhyrë nga distanca./BBC
