21 Shkurt 2026

Gazetari Mentor Kikia ka komentuar situatën e rëndë që po ndodh me rrugën kombëtare Librazhd-Qafë Thanë që jo vetëm po izolon juglindjen e Shqipërisë, por po paralizon dhe një tregti të madhe të mallrave, sendeve nga vendi jonë me vendet e tjera dhe e anasjellta.

Sipas gazetarit, i gjithë faji i shembjes së rrugës Librazhd-Qafë Thanë lidhje me kompaninë që po ndërton rrugën e Korridorit 8, e tenderuar nga Edi Rama dhe Belinda Balluku.

Kikia akuzon firmën që po ndërton Korridorin 8 edhe për masakrën që ka bërë në lumin Shkumbin dhe zonat përreth.

Reagimi i gazetarit Mentor Kikia:

Përse po bie rruga Librazhd-Qafë Thanë?

Rruga Elbasan-Qafe Thanë, ka qenë një nga rrugët me standardin më të lartë të sigurisë dhe cilësisë, e ndërtuar rreth 25 vjet me parë nga një kompani maqedonase. Prej kaq kohesh as gropa në safalt nuk kishte, edhe pse zero mirëmbajtje deri tani!

Anomalitë e krijuara në këtë aks, këto muajt e fundit, duhen kërkuar tek kompania që po ndërton rrugën e re, Korridorin e 8.

Ajo ka kryer masakrën më të madhe mjedisore mbi lumin Shkumbin. Nga Rrogozhina deri këtu ku po shembet kjo urë, rruga po ndërtohet me zhavorr lumi. Shtratin e lumit e kanë masakruar, e kanë shkatërruar tërësisht.

Nuk ka lënë përrua pa gërryer për të marrë inerte.

A duhet përdorur zhavorri i lumit me gurë të rrumbullaket e të lëmuar për shtratin e rrugës? Le ta japin inxhinieret përgjigjen për këtë.

Por shembjet e rrugës ekzistuese kanë ndodhur aty ku po ndërtohet traseja e re. Çdo dëmtim ka një faturë financiare, të cilën nuk duhet ta paguajmë ne.