“Porti i Vlorës nuk do të nisë punë”, Kapri: – Asnjë koncesion i qeverisë nuk ka qenë frytdhënës

12 Dhjetor 2025
Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, ka kritikuar qeverinë për mënyrën se si janë dhënë koncesionet, duke i cilësuar ato si afera korruptive dhe të dështuar, që nuk kanë sjellë asnjë përfitim për qytetarët. Në fjalën e tij, dje në seancën plenare, Kapri tha se asnjë koncesion i dhënë nga qeveria nuk ka qenë frytdhënës, ndërsa përmendi disa raste konkrete, përfshirë koncesionet në sektorin e shëndetësisë, që sipas tij janë nën hetim nga SPAK dhe kanë dështuar të përmirësojnë shërbimet publike. Deputeti u ndal edhe te koncesioni i Portit të Vlorës, duke paralajmëruar se projekti nuk do të nisë punën vitin e ardhshëm, ndonëse është premtuar nga qeveria. “Me kë koncension ta nisësh më parë. Cili koncesion i dhënë nga qeveria ka qenë frytdhënës? Nuk gjen asnjë.
Por tek koncensionet e shëndetësisë të 4 në SPAK. A kemi shërbim më të mirë? Zero. Edhe pasi janë zbuluar që janë afera korruptive ato kanë vazhduar. Më interesanti, koncesioni i Portit të Vlorës që nga qeveria u trumpetua që vitin e ardhshëm do nisë punë. Por vetë qeveria e di që nuk do nisë punë sepse e kanë parë sherrin e konsensionerëve dhe se si është dhënë në zyrën e ministres. Si ka mundësi që nuk ka asnjë reagim edhe pas daljes së investigimit. Si mund të marrë një magazinier operimin e një porti me vlerë 60 mln euro. Koncensioni i Thumanë Kashar, një tjetër problematikë. Rinasi dhjetëra miliona euro të deklaruara si fitime dhe dhjetëra miliona euro shpenzime”, tha Kapri.
