23 Qershor 2026

Deputetja e Partisë Socialiste, Romina Kuko, në një analizë të gjatë mbi protestat e bulevardit, i ka dhënë një përgjigje shteruese edhe koleges së saj socialiste, Elisa Spiropali, ish-ministres së Jashtme, e cila në mërzi pas shkarkimit ka gjetur frymëzim te flamingot për një marrëveshje të re për Shqipërinë. Për Kukon, duket se Spiropali ka marrë vetëm meritën të flasë në emër të protestuesve, por plani i saj mbetet tek mërzia. “Mund të jesh i zemëruar me mënyrën si qeveriset, si bëhet opozitë, për Zvërnecin, pensionet e çdo gjë tjetër, por pastaj duhet të kërkosh të dish në radhë të parë kush flet në emrin tënd? Kujt po i shkon nga pas? Cilin po ndjek? Emrin, planin dhe llogaridhënien.

Nëse Shqipëria e Re refuzon ta japë këtë, refuzimi është vetë përgjigjja.” Kuko shkon edhe më tej, duke nënkuptuar Spiropalin, dhe thotë se njerëzit e provuar nuk mund të kërkojnë reformim, ata që dështuan në sektorin e tyre, si rasti i Ministrisë së Jashtme. “Nuk është rastësi që së fundmi kemi shtim aksionesh në bursën e revolucionit, zëra reformistë që janë provuar dhe sprovuar dhe nuk kanë arritur të reformojnë as sektorin e tyre. Distancimi në këto kohë turbullirash nuk kushton asgjë, por blen gjithë vëmendjen.

Po kur aksionet bien, çfarë do të ngelë pas?”. Veç kësaj, sipas statuseve të Elisa Spiropalit në rrjetet sociale, marrëveshja e re fillon nga ripërtëritja e PS-së, por për Kukon kjo gjuhë e ish-ministres i shërben vetëm interesave të saj personale, ndërsa plani i vetëm duket se është kundër Shqipërisë. “Ata që sot flasin për ripërtëritje pa asnjë nga këto elemente po huazojnë gjuhën e saj për qëllime shumë më modeste se ato që pretendojnë, përveçse po kryejnë atentat ndaj rrugës së Shqipërisë së realitetit në BE.”

Elisa Spiropali duket se është distancuar kohët e fundit nga PS-ja, prej kohës kur u shkarkua si ministre, duke shkarkuar mllefin e saj në rrjetet sociale. Një distancim që është lexuar nga kryeministri Edi Rama, i cili e ka paralajmëruar me përjashtim, por herën e fundit e sfidoi duke i kërkuar t’i sjellë marrëveshjen e re për Shqipërinë. Por Spiropali nuk ishte në mbledhje. Ajo ishte duke ndjekur sërish zhvillimet nga rrjetet sociale.