1 Korrik 2026

Teksa udhëheqësit e NATO-s përgatiten për një samit në Turqi javën e ardhshme, planet për një samit të aleancës në Shqipëri vitin e ardhshëm janë vënë në dyshim. Lajmin e konfirmuan për Reuters një diplomat i NATO-s, një zyrtar evropian dhe tre persona të njohur me çështjen.

Një projekt-deklaratë për samitin e NATO-s javën e ardhshme në Ankara nuk përmendi mbajtjen e takimit të ardhshëm në Shqipëri, pavarësisht një deklarate të mëparshme se ai do të zhvillohej atje.

Reuters raportoi në prill se NATO po shqyrton përfundimin e praktikës së mbajtjes së samiteve vjetore, një veprim që mund të shmang takime potencialisht të tensionuara me Trump gjatë mandatit të tij.

Një nga njerëzit e njohur me diskutimet tha se shpenzimet e mbrojtjes së Shqipërisë janë të tilla që nëse NATO mban një samit në këtë vend në vitin 2027, Trump mund të mërzitet, duke provokuar tituj dhe deklarata negative.

“Draftet janë drafte, jo vendime”, tha një zëdhënës i qeverisë shqiptare për Reuters kur u pyet për mungesën e përmendjes së Shqipërisë në draft-deklaratë.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë. Një zyrtar i NATO-s tha se nuk kishin asnjë koment të menjëhershëm.

Vitet e fundit, deklaratat zyrtare në samitet e NATO-s zakonisht kanë referencë të qartë për vendndodhjen e samitit pasues.

Në samitin e Hagës vitin e kaluar, udhëheqësit thanë në deklaratën e tyre se “ne mezi presim takimin tonë të radhës në Turqi në 2026, i ndjekur nga  samiti në Shqipëri në 2027”.

Trump u ka kërkuar vendeve anëtare të derdhin 5% të PBB-së për Aleancën. Vendet premtuan të shpenzojnë 3.5% të PBB-së për mbrojtjen thelbësore – siç janë trupat dhe armët – dhe 1.5% për masa më të gjera të lidhura me mbrojtjen, siç është siguria kibernetike.

Objektivi për momentin është 2 përqind. Por disa vende kanë hasur vështirësi ta përmbushin atë, mes tyre Shqipëria.

“Pothuajse të gjithë aleatët janë në 2%”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në një konferencë për shtyp në fillim të këtij muaji. “Shqipëria, Çekia, Sllovenia ende jo, por ato janë zotuar qartë të arrijnë më shumë se 2% këtë vit. Nëse shikon pamjen e përgjithshme, tre vende është një numër vërtet i vogël”, – tha ai.

Kurse qeveria e Shqipërisë tha në një deklaratë për Reuters se po “përfundonte masat e nevojshme fiskale për të përafruar shpenzimet me trajektoren e rënë dakord në Samitin e Hagës”.

“Shpenzimet e mbrojtjes do të arrijnë në 2.6% të PBB-së. Nga kjo, 2.2% përfaqëson shpenzimet bazë të mbrojtjes, ndërsa 0.4% përfaqëson shpenzime të tjera të lidhura me sigurinë”, shtoi ajo.

Një diplomat evropian tha se Shqipëria edhe mund ta organizojë samitin.

“Ata po shtojnë përpjekjet, të shohim se ku do dalim”, tha diplomati, duke shtuar: “Unë ende besoj se samiti i ardhshëm do të jetë në Shqipëri”.