Brnet Beci

15 Shtator 2026

Teksa qytetarët e thjeshtë në vend mjerojnë dhe përballen çdo ditë me vështirësi të mëdha për të përballuar jetesën e përditshme, duke u detyruar shpesh të braktisin vendin për shkak të pamundësisë ekonomike, opinioni publik mbetet i heshtur dhe i ul kokën përpara pasurive marramendëse që krijojnë pushtetarët tanë.

Ky kontrast i dhimbshëm dhe tronditës është sjellë në vëmendje përmes një denoncimi publik nga avokatja Sabina Meta, e cila ka zbuluar detaje nga pasuritë e Kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci. Ajo vë në dukje se ndërkohë që njerëzit e zakonshëm vrasin mendjen për mbijetesë dhe politikanët merren me konflikte të brendshme, pasuritë e zyrtarëve vazhdojnë të rriten në mënyrë të pajustifikuar.

Denoncimi i avokates thekson se përballë këtyre shifrave dhe pasurive marramendëse, mungon një reagim institucional nga strukturat e drejtësisë si SPAK, i cili do të duhej të kishte inspektuar çdo pasuri të vënë nga politikanët dhe të kishte proceduar me sekuestrimin e çdo pasurie të paligjshme për t’i kaluar ato në fondin shtetëror, në një kohë që shoqëria shpesh mbetet thjesht spektatore e kësaj realiteti.

Perandoria e pasurive të paluajtshme të Benet Becit

Në listën e bërë publike të pasurive të Benet Becit, burimi i të cilave deklarohet se është kursimet, figurojnë një numër i madh pronash të paluajtshme që shtrihen në zonat më të lakmuara të vendit. Portofoli i tij pasuror përfshin një vilë luksoze në Prush të Tiranës, një vilë 500 metrash katrorë me vlerë 300 mijë euro, një apartament prej 244 metrash katrorë me vlerë 170 mijë euro, si dhe një truall me ndërtesë prej 947 metrash katrorë me vlerë 200 mijë euro.

Lista vazhdon me një shtëpi të blerë për 200 mijë euro, një vilë në Gjirin e Lalëzit me vlerë 47 mijë euro, një shtëpi banimi 59 metrash katrorë me vlerë 5,960 lekë, një tjetër shtëpi banimi prej 79 metrash katrorë me vlerë 3 milionë e 500 mijë lekë, si dhe një shtëpi banimi prej 80 metrash katrorë me vlerë 1 milion e 800 mijë lekë.

Gjithashtu, pjesë e kësaj pasurie janë edhe një apartament 81 metrash katrorë me vlerë 47 mijë euro, një apartament tjetër në Tiranë, si dhe një apartament 81 metrash katrorë në Durrës i shoqëruar me truall 431 metrash katrorë me vlerë 800 mijë lekë, duke dëshmuar një shtrirje të gjerë të investimeve në tregun e pasurive të patundshme.

Shtëpia si i pastrehë

Mes morisë së pronave miliona euroshe dhe pasurive të patundshme që përfshijnë vila dhe apartamente luksoze, një nga pikat më surprizuese dhe që të vret menjëherë syrin në listën e publikuar është fakti se Kryetari i Bashkisë së Shkodrës figuron të ketë marrë gjithashtu një banesë si “i pastrehë” nga shteti.

Ky detaj ka ngritur pikëpyetje të forta në opinionin publik dhe te qytetarët, të cilët pyesin se si është e mundur që një zyrtar i lartë i cili zotëron një perandori pasurish të tilla të konsiderueshme, të përfitojë ndihmë publike për strehim që normalisht duhet t’u dedikohet familjeve në nevojë ekstreme dhe shtresave vërtet vulnerabël të shoqërisë. Ky paradoks nxjerr në pah papërgjegjshmërinë e skemave shtetërore të ndihmës dhe mënyrën se a përfitojnë individët e duhur nga fondet dhe mbështetja institucionale, duke shkaktuar zemërim të gjerë te qytetarët e thjeshtë.

Toka, pyje dhe investime 

Përveç ndërtesave, vilave dhe apartamenteve në zona urbane apo turistike, pasuritë e deklaruara përfshijnë edhe sipërfaqe të konsiderueshme tokash dhe pyjoresh, të cilat përbëjnë një zë tjetër me vlerë të konsiderueshme ekonomike. Në këtë kategori bëjnë pjesë një truall prej 2700 metrash katrorë me vlerë 135 mijë euro, një truall tjetër prej 431 metrash katrorë me vlerë 800 mijë lekë, si dhe pasuri të tjera natyrore si një pyll prej 6 mijë metrash katrorë, një tjetër pyll prej 6 mijë metrash katrorë me vlerë 400 mijë euro dhe një tokë me arra prej 3 mijë metrash katrorë me vlerë 360 mijë lekë.

Flota e gjerë e automjeteve 

Kjo perandori pasurie nuk kufizohet vetëm tek pasuritë e paluajtshme, tokat apo vilat, por shtrihet edhe në një flotë të gjerë dhe të larmishme mjetesh transporti dhe automjetesh luksoze. Në listën e mjeteve figurojnë një makinë me vlerë 27 mijë euro, një makinë me vlerë 47 mijë euro, një makinë tjetër me vlerë 33 mijë euro, një makinë me vlerë 9.6 mijë euro, si dhe një motor me vlerë 9.6 mijë euro.

Po kështu, portofoli i automjeteve plotësohet nga një makinë me vlerë 5 mijë euro, një automjet i markës “Dacia Sandero” me vlerë 10 mijë euro, një automjet “NISSAN QASHQAI” me vlerë 21 mijë euro, si dhe një makinë “Volkswagen Passat CC” me vlerë 9 mijë euro. Tërësia e këtyre mjeteve, krahasuar me fitimet mesatare të qytetarëve shqiptarë, përfundon në qendër të kritikave publike për standardin e lartë të jetesës që gëzojnë funksionarët publikë në raport me realitetin e vështirë ekonomik të vendit.