
“Për të amnistuar korrupsionin”/ Drafti i Kodit Penal, reagon gazetari: – Tentativë për të mbyllur gojën e medias së lirë
5 Shtator 2025
I ftuar në një studio televizive, gazetari Fatjon Gjinaj foli mbi ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, duke i cilësuar ato si një përpjekje të qartë të qeverisë për të mbyllur gojën e medias së lirë dhe për të garantuar pandëshkueshmëri për zyrtarët e korruptuar.
Sipas Gjinajt, neni që prek gazetarët nuk është rastësi, por pjesë e një plani të mirëorganizuar për të heshtur çdo zë kritik që nuk kontrollohet nga pushteti.
Deklarata:
Në parantezë mund të themi se ky draft-kod është thjesht një pretekst për të sjellë të gjithë ndryshimin e Kodit Penal, që e ka zanafillën që në vitin 2019, në kohën e pandemisë, kur u godit fort neni për shpifjen nga qeveria. Në një formë apo tjetër, ai nen u shty dhe u mbajt pezull për disa vite. Tani, me sa duket, është futur në paketë me ndryshimet e tjera të Kodit Penal, për të çuar deri në fund atë që kishte si “merak” Edi Rama dhe qeverisja e tij.
Nëse një gazetar abuzon me profesionin dhe ky abuzim sjell pasoja ligjore apo faktike, legjislacioni shqiptar parashikon masa ndëshkuese për të, ashtu si për çdo qytetar tjetër. Por le të dalim te çështja e shpifjes dhe të sjellim një hipotezë.
Nëse unë, si gazetare, nesër ndërtoj një analizë mbi disa të dhëna të ditëve të fundit së pari, vizita e kreut të SPAK, Altin Dumani, në SHBA; së dyti, publikimi në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit i një agjenteje që do të takohej me një zyrtare të lartë për çështjet e Euroazisë; dhe së treti, deklarata e fundit e Departamentit të Shtetit që njofton publikimin e plotë të dosjes McGonigal, ku përmendet edhe emri i Edi Ramës dhe dalin biseda me miqtë e tij, përfshirë edhe komunikime me Ramën atëherë unë kam të drejtë të analizoj.
Në këtë kuadër, nëse ndërtoj një artikull investigativ mbi kohën kur McGonigal ka qenë në Shqipëri dhe, në bazë të të dhënave, supozoj se mund të ketë një hetim të ri që mund të çojë deri në arrestimin e një kryeministri në detyrë për herë të parë në Shqipëri unë nuk po shpif. Po bëj analizë mbi fakte publike.
Megjithatë, me ndryshimet e reja në Kodin Penal, Edi Rama do të ketë të drejtë ligjore të më kallëzojë mua si gazetare për “prishje imazhi”, duke më përfshirë në dy nene: fyerje dhe denigrim të një personi publik, si dhe shpifje.
Kjo është ironia e madhe: i njëjti person që kërkon të ndëshkojë gazetarët për analizat dhe qëndrimet e tyre publike, është ai që për vite të tëra ka sulmuar, denigruar dhe kërcënuar gjyqtarë e prokurorë në vend. Dhe sot, këta njerëz do të kenë në dorë fatin e një gazetari dhe, njëkohësisht, të një kryeministri.
Në këtë rast, “fyerje” për mua do të ishte nëse nuk do ta ngrija zërin për të denoncuar atë që Rama dhe qeverisja e tij kanë tentuar që në krye të herës: censurimin dhe mbylljen e zërave kritikë dhe mediave të pavarura. Kjo përpjekje ka funksionuar përmes sulmeve të drejtpërdrejta ndaj gazetarëve, duke treguar qartë se çfarë është në gjendje të bëjë një forcë politike kundër fjalës së lirë dhe të drejtës për analizë.