6 Shtator 2025

Pensionistët shqiptarë sot po jetojnë më keq se kurrë, pasi inflacioni ka gllabëruar çdo rritje simbolike që qeveria ka bërë vitet e fundit. Eksperti i pensioneve, Kujtim Hoxha, ngre alarmin se të moshuarit po varfërohen dita-ditës dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga qeveria. Sipas tij, nuk mjafton vetëm indeksimi formal që bëhet një herë në vit, por duhet rritje reale e pensioneve dhe dhënie bonusesh që të përballohet kostoja e jetesës. Të moshuarit jetojnë me të ardhura aq të ulëta sa nuk mbulojnë dot as shpenzimet bazë, duke i shtyrë shumë prej tyre drejt varfërisë ekstreme.

Ai paralajmëron se Shqipëria nuk mund të pretendojë hyrjen në Bashkimin Europian pa garantuar standarde minimale jetese për qytetarët më të ndjeshëm. Eksperti sugjeron që qeveria e re të vendosë prioritet rritjen e pensioneve dhe të bëjë indeksim të plotë sipas inflacionit real. Përndryshe, mijëra të moshuar do të mbeten viktima të krizës ekonomike, pa asnjë mbrojtje sociale. Mesazhi i tij është i qartë: pensionistët presin respekt dhe dinjitet, jo thjesht premtime boshe. Shqipëria e vërtetë matet me mënyrën se si trajton të moshuarit e saj. “Pensionistët presin që qeveria shqiptare të bëjë diçka për ta. Ne presim rritje të pensioneve dhe indeksim të ri të tyre. Qeveria ka mundësi që të bëjë indeksim dhe të japë bonuse.

Pensionistët presin më shumë për indeksim, por nëse gërshetohen këto do të ishte diçka e mirë. Pensionistët sot ndodhen në gjendje më të keqe se vjet, për shkak të inflacionit. Qeveritarët të kenë kujdes kur të bëjnë indeksimin e pensioneve. Qeveria flet gjithmonë për objektivat e vitit 2030, por 2030 është shumë larg, pasi pensionistët kanë nevojë për rritje pensionesh sot. Shqipëria dëshiron që të hyjë në BE dhe duhet standard konkurrues me vendet europiane, nuk mund të vijohet me këto pensione aq të ulëta”, deklaroi eksperti i pensioneve, Kujtim Hoxha gjatë një prononcimi për mediat.

Detaje nga skema e pensioneve

Ndërkohë nga ana tjetër, më shumë se 2 miliardë euro do të jetë fatura e pensioneve për vitin 2026. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka miratuar tavanet buxhetore për 3 vitet e ardhshme ku planifikohet rritje e shpenzimeve për këtë program. Sipas të dhënave të bëra publike nga ISSH, planifikohet që shpenzimet të rriten me 117 milionë euro në raport me këtë vit. Kjo kosto do të vijojë të rritet për të arritur në 2.2 miliardë euro në vitin 2028. Paralelisht me rritjen e shpenzimeve për Sigurimet Shoqërore, do të rritet edhe financimi nga buxheti i shtetit për të mbuluar këtë skemë, përfshirë edhe deficitin.

Report TV mëson se financimi nga buxheti i shtetit nga 408 milionë euro këtë vit do të rritet në 514 milionë euro vitin tjetër dhe deri në vitin 2028 financimi nga buxheti do të arrijë në 601 milionë euro. Duke qenë se të ardhurat që mbledh ISSH nga kontributet nuk janë të mjaftueshme për të shlyer pensionet e 721 mijë qytetarëve, buxheti i shtetit është kthyer në ‘shpëtim’ për skemën deficitare të pensioneve. Pritshmëritë janë që të ardhurat që do të mblidhen vitin tjetër do të mbulojnë vetëm 75% të shpenzimeve për pagesën e pensionistëve, nga 76% që është niveli i këtij viti. (Pra nëse shpenzimet do të jenë 100 lekë, të ardhurat do të jenë vetëm 75 lekë). Deri në vitin 2028 është parashikuar që të ardhurat të mbulojnë vetëm 73% të shpenzimeve. Për të paguar pensionet e 100 qytetarëve sot kontribuojnë 117 punonjës.

Ky nivel nuk është i mjaftueshëm për të shlyer pensionet dhe për këtë arsye prej 1 dekade, diferenca mbulohet nga buxheti i shtetit. Emigrimi, rënia e lindshmërisë, punësimi në të zezë dhe nëndeklarimi i pagave, po dëmtojnë skemën e pensioneve pasi mos deklarimi real ul vlerën e kontributeve që paguhen. Sa i takon bonusit të pensionistëve, sipas dokumentit të siguruara nga Report TV, në buxhet është planifikuar shpenzim prej gati 190 milionë euro në tre vitet e ardhshme. Edhe për vitet në vijim parashikohet dhënia e dy bonuseve e diferencuar në varësi të vlerës mujore që merr pensionisti. Kjo skemë do të ndiqet deri kur të jetë gati skema e re e pensioneve, e cila ende vijon të punohet dhe nuk është gati.