20 korrik 2022
Skulptura përkujtimore që njihet si lefem është një nga shumë të tilla që i janë marrë Kamerunit gjatë pushtimit gjerman
Muzeu “Rautenstrauch Joest” i Kölnit dëshiron të kthejë artefaktet e plaçkitura nga komuniteti Bangwa në Kamerun. Por, procesi i ndërlikuar gjerman e bën të vështirë kthimin.Një delegacion mbretëror nga Kameruni perëndimor i regjionit Bangwa së fundmi ka realizuar një takim fizik me skulpturat e plaçkitura, për herë të parë pas më shumë se 100 vjetësh. Artefakti – i njohur si lafem – është një nga shumë skulptura përkujtimore, të cilat ishin marrë gjatë pushtimit gjerman të kombit të Afrikës Qendrore.

“Marrja e këtij artefakti në robëri, larg mjedisit të tij, na privoi nga mbrojtja natyrore dhe shpirtërore që na u dha nga paraardhësit tanë”, ka thënë gjatë ceremonisë mbreti i Bangwas, Asabaton Fontem Njifua nga Bangwa. “Kthimi i tij është fillimi i përfundimit të agonisë së ndëshkimit kolektiv që paraardhësit tanë duruan dhe vazhdojnë të durojnë”.

Të shtunën e kaluar muzeu “Rautenstrauch Joest” i Kolnit mbajti një eveniment ceremonial me delegacionin e kthimit të artefakteve. Por ata u lanë duarthatë.

Derisa muzeu dëshiron t’ua kthejë skulpturat udhëheqësve të komunitetit, kthimi i artefakteve të grabitura, që mbahen nga muzetë e Gjermanisë, drejtohet nga një proces burokratik. Vendimi përfundimtar i takon qytetit të Kölnit dhe këshillit të tij.

Skulptura është një nga shumë skulpturat lafeme, të punuara për të mishëruar shpirtin e krerëve Bangaa. Ishte grabitur nga Bangwat nga një toger ushtarak gjerman gjatë një bastisjeje të dhunshme diku rreth vitit 1888. Ai ia dhuroi atë një muzeu të Gjermanisë më 1902. Më vonë, më 1955, u mor nga një koleksionist nga Düsseldorfi dhe iu dha muzeut “Rautenstrauch Joest” më 1966.

Kameruni perëndimor është në zemër të një lufte të zgjatur dhe regjioni Bangwa është ndër zonat më të goditura. Udhëheqësit e Bangwas thanë se mungesa e statujave shërbeu si një rikujtim konstant i kaosit dhe shkatërrimi u ndje nga secila gjeneratë.

Skulptura përkujtimore që njihet si Lefem e Kamerunit

“Çka ne dëshirojmë është që këto artefakte të rikthehen në mjedisin e tyre natyror. Të shkojnë te njerëzit, të cilët e vuajtën humbjen e tyre. Njerëzit që pësuan traumën kolektive ndër vite. Nuk është një çështje politike”, ka thënë Fuatabong Achaleke Taku, një anëtar mbretëror i Bangwas dhe një figurë kyç për rikthimin e skulpturës. “Është çështje e të drejtave themelore të njeriut që artefakti do t’i kthehet komunitetit”.

Anëtarët e Bangwas u rritën duke kuptuar historinë e objekteve të grabitura gjatë kolonizimit gjerman të Kamerunit, ka thënë Taku për DW-në. Kjo e frymëzoi në punën e tij për kthimin e lefemit.

Megjithëse ato kujtime erdhën me dhimbje, kjo njohuri historike ishte çelësi i nevojshëm për të rimarrë veprat e grabitura të Bangwas nga muzetë gjermanë.

Për kthimin e objekteve të grabitura që mbahen në Gjermani ekziston një mision i deklaruar që nga viti 2019. Në vitet në vijim, Gjermania ka shtuar transparencën në procesin e kthimit duke iu vendosur muzeve udhëzime për riatdhesimin e artefakteve të vjedhura.

Ndërsa rruga e kthimit është më e qartë se më parë, procesi nuk është ende i lehtë.

Për të bërë një kërkesë për kthim, një vend ose anëtar i komunitetit duhet së pari të identifikojë artefaktin dhe vendin ku mbahet. Teksa disa muze i digjitalizojnë koleksionet e tyre në mënyrë që të mund të identifikohen më mirë, të tjerët nuk e bëjnë këtë.

Kërkuesi i artefaktit duhet të dëshmojë pronësinë e tyre përmes kërkimit të origjinës. Kjo kërkon hulumtimin dhe transformimin e pronësisë për gjatë gjithë jetës së objektit.

Disa muze mbajnë të dhëna për origjinën. Megjithatë, ndonjëherë ka edhe zbrazëtira të informacionit. Në këtë rast barra për ta dëshmuar pronësinë bie mbi kërkuesit.

Një nga pengesat e fundit në procesin e kthimit janë shtetet federale ose autoritetet lokale që mbikëqyrin muzetë në Gjermani. U takon atyre që të japin PO-në përfundimtare për kthim.

Drejtoresha e muzeut, Nanette Snoep, dhe ekipi i saj janë të përkushtuar që skulpturën ta shohin të kthehet në komunitetin Bangwa, por PO-ja e saj nuk mjafton.

Një pengesë kryesore në kthimin e lefemit është Qyteti i Kölnit, komuna që mbikëqyr muzeun.

“I takon qyteti të Kölnit që të vendosë… unë jam duke u përpjekur ta bind qytetin se kjo skulpturë do të kthehet në Bangwa”, ka thënë Snoep. “Pyetja është se çka është vullneti politik i qytetit të Kölnit?”

Muzetë e Gjermanisë duhet të negociojnë me kompetencat delikate, të përbashkëta mes tyre dhe organeve komunale në vend, për pretendimet e kthimit.

Një zyrtar i qytetit që mori pjesë në takim ka thënë se do të dëshironte gjithashtu të shihte statujën dhe reliktet e tjera që mban muzeu, siç janë mbi 90 objektet e artit ne bronz te Beninit – por qyteti është ende në fillim të procesit.

“Në fund do të jetë vendimi i Këshillit”, ka thënë Stefan Charles, zëvendëskryetar i Arteve të Bukura dhe Kulturës për qytetin e Kölnit. “Do ta përgatis sa më mirë Këshillin, do të nxjerrë të mirat dhe të këqijat”.

Ndërsa negociatat për kthimin e bronzeve të Beninit, të mbajtura në muze, janë aktualisht prioritet për Këshillin, Charles ka thënë se ai ishte i bindur se ne do të biem dakord për kthimin e bronzeve të Beninit.

Megjithatë, ai ka shtuar se Këshilli është gjithashtu i lidhur me partnerët dhe qeverinë, të cilët kanë për detyrë të kontrollojnë aspektet ligjore të kthimit.

“Ne nuk po e marrim këtë vendim vetë. Ne kemi partneritet me muzetë në Gjermani dhe më gjerë, si dhe me ata të nivelit qeveritar në Berlin”, ka thënë Charles.

Për të dërguarin mbretëror Bangwa, kthimi i skulpturës lefem është i pashmangshëm. Ata e shohin ftesën që u është dhënë nga muzeu për ceremoninë e së shtunës si një tregues i qartë se më në fund ai do të kthehet në shtëpi.

“Formulimi i ftesës nga ky muze dhe nga kryetari i bashkisë tregoi se ekzistonte një mundësi reale që nëse vinim me mbretin mund të rifitonim humanizmin që na u vodh.

Kjo është ajo që më motivoi dhe prandaj ne jemi këtu”, ka thënë Taku.

Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu: Mirjetë Sadiku

Gazeta Koha.net Prishtine