25 Tetor 2023

Papa Françesku pret sot në Vatikan një përfaqësi të ishpërndjekurve politikë. Kreu i Unionit Mbarëkombëtar për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, i shpreh mirënjohjen Papa Frençeskut, ndërkohë që vizitën e konsideron historike.

Ky Union njofton se, sot më 25 tetor 2023, Shkëlqesia e Tij, Imzot Papa Françesku, ka rezervuar një pritje në Vatikan për të mbijetuarit e diktaturës komuniste enveriste të Shqipërisë. Delegacioni i të Përndjekurve Politikë kryesohet nga aktivisti i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, president i Unionit Mbarëkombëtar Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, misionar i ngritjes së murit të kujtesës për 6000 të pushkatuarit që u janë zhdukur kufomat, zoti Besim Ndregjoni.

Në këtë delegacion janë pjesëmarrës shqiponjat e lirisë, pjesëmarrësit e revoltës antikomuniste të Spaçit, të burgosurit politikë të kampeve shfarosëse të Burrelit e Spaçit, Demir Pojani, Xhet Kadeli, Pavllo Popa, Nuri Stepa, Qemal Demiri, Gëzim Çela si dhe ish-kryetari i Bashkisë, Shkodër Lorenc Luka. “Përfaqësia e të mbijetuarve të diktaturës do i bëjë me dije Papa Françeskut krimin komunist që ka ndodhur në Shqipëri për 45 vjet diktaturë, si dhe do t’i dhurojë letrën e At Patër Mëshkallës, dërguar kryeministrit sadist, Mehmet Shehut, për prishjen e institucioneve fetare dhe ndalimin e fesë, duke e shpallur Shqipërinë shtet ateist, ku populli shqiptar respektonte të tria besimet fetare. Si dhe bilancin tragjik që solli kjo diktaturë për 45 vite. Shqipëria është i vetmi shtet në Europë që nuk i ka dënuar krimet e komunizmit, të cilat sipas statistikave shtetërore kanë një bilanc tragjik për numrin e popullsisë”.

Konkretisht, janë 5577 burra të pushkatuar për motive politike. 450 gra të pushkatuara për motive politike. 36.768 burra të burgosur për motive politike. 7367 gra të burgosura politike.

Kanë vdekur në burgjet komuniste nga torturat 998 burra e 45 gra. 308 burra e gra janë çmendur nga torturat. 50.000 familje janë internuar në kampe përqendrimi, ku në këto kampe kanë vdekur 7022 nga uria dhe torturat. 354 shtetas të huaj janë pushkatuar dhe në mes tyre dhe 95 shqiptarë të Kosovës. U ekzekutuan dhe u burgosën klerikë katolikë, priftërinj 120 veta. U ekzekutuan dhe u burgosën klerikë bektashianë 63 veta. U ekzekutuan dhe u burgosën klerikë myslimanë 60 veta. U ekzekutuan dhe u burgosën klerikë ortodoksë 39 veta. U shkatërruan dhe u mbyllën 2169 institucione kulti fetare. U shkatërruan kisha e manastire katolike 157. Kisha e manastire ortodokse 608. Xhami gjithsej 740. Teqe e tyrbe bektashiane e islame 530. 6000 burra, gra, fëmijë janë pushkatuar dhe u janë zhdukur kufomat. Sot familjarët e tyre nuk ka një varr për t’u ndezur një qiri apo për t’u bërë një lutje.

“Gjithashtu do ta informojmë Papën se për 32 vite pluralizëm, ne, të mbijetuarit e diktaturës komuniste, i përçuam shoqërisë shqiptare paqen dhe dënuam urrejtjen. Ne krimin ia kemi lëni në dorë drejtësisë ta gjykojë dhe dënojë, fatkeqësisht klasa politike e këtij tranzicioni jo vetëm se e pengoi drejtësinë, por përkundrazi, rehabilitoi të gjitha ata që kishin marrë pjesë në krime dhe i katapultoi në drejtimin e shtetit dhe sot nuk kemi shtet të së drejtës, por shtet politik dhe të korruptuar.

Ne, të mbijetuarit e diktaturës, i shprehim mikut të madh, Shkëlqesisë së Tij, Papa Françeskut për këtë vëmendje dhe respekt të madh ndaj kauzës, qëndresën dhe mbijetesën tonë dhe i kërkojmë të lutet për popullin shqiptar. I kërkojmë shpalljen martir Patër Anton Harapi, këtij shqiptari të madh e dijetari të shquar sinë fushën e fesë, por edhe mbrojtjen e atdheut, si dhe bekimin për 6000 të zhdukurit e komunizmit”, – shprehet presidenti i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.