Pa “pass covid” nuk pranohesh në punë, nga nesër nis penalizimi në Shqipëri: Rriten vaksinimet

3 JANAR 2022

Duke nisur nga 4 janari të gjithë punonjësit e administratës publike, supermarketeve dhe qendrave tregtare në Shqipëri duhet të paraqesin pasaportën e vaksinimit, atë të shërimit, ose tampon negative çdo 5 ditë.

Ky është vendimi i marrë nga Komitetit Teknik përpara mbylljes së vitit 2021, e që do të zbatohet që nga janari 2022. Deri më tani nuk ka ndonjë kontestim, edhe pse puna në shtet nis që nga 5 janari.

Mjekët e familjes në qendrat shëndetësore thonë se interesi është shtuar më shumë gjatë muajit dhjetor.

Vaksinën anticovid kërkojnë ta kryejnë si moshat aktive për punë, kjo e ndikuar edhe nga urdhri i ri, por edhe moshat e treta që janë të interesuar për dozën e tretë anticovid.

Aktualisht  stafi spitalor, ai i shkollave dhe studentët kanë qenë të detyruar të  kryejnë vaksinën, ose do të kishin kufizime.

Megjithëse në shkolla dhe spitale  përfshirja ka qenë e madhe, studentët kanë hezituar  ti nënshtrohen vaksinimit. Sipas informacioneve janë kryer mbi 2 mln e 400 mijë vaksina anticovid, përfshrë këtu edhe ata që e kanë kryer jashtë Shqipërisë.

Sipas informacioneve zyrtare, me dozë të parë janë 1 mln e 150, ndërsa mbi 1 mln e 50 janë doza të dyta, në numër të konsiderueshëm janë edhe dozat perforcuese.

Gazeta Shqip