Nxënësit e shkollës së mesme “Naim Frashëri”, në Durrës riparojnë kopertinat e librave të dëmtuar.

Nxënësit e shkollës së mesme “Naim Frashëri”, në Durrës, kanë ndërmarrë një nismë vërtet interesante. Ata kanë themeluar një kompani të quajtur Brooks, dhe riparojnë kopertinat e librave të dëmtuar. Emri i kompanisë “Brooks” nënkupton Bring Books Back, pra rikthim i librave në gjendjen e tyre më të mirë të mundshme.

Ideja ka ardhur në kuadër të një lënde mësimore që aplikohet në shumë shkolla të Shqipërisë nga “Junior Achievement of Albania”, por ka qenë tërmeti i 26 nëntorit që jua përforcoi edhe më tepër bindjen se duhet të ruajnë me fanatizëm vlerat.

Librat, maturantët, i riparojnë duke përdorur copa të ndryshme. Ata thanë për dritare.net se kanë zgjedhur këtë formë riparimi, sepse në një farë mënyre copa përkthehet në jetëgjatësi, ndërsa letra apo kartoni mund të griset më lehtë.

Nxënësit thanë për dritare.net se nisma e tyre nuk do të mbetej vetëm në kuadër të një lënde, por kishte si synim zgjerimin përtej dyerve të shkollës, ku momentalisht po riparojnë librat e bibliotekës. Ata po e zhvillojnë nismën e tyre duke punuar fort të gjithë, me ndihmën e mësueses koordinatore Ornela Shehu dhe mbështetjen e drejtoreshës së shkollës, Burbuqe Meta.

Nxënësit duan që në fund të ndryshojnë diçka në shoqërinë ku ne jetojmë, pasi besojnë se vetëm rinia e bën ndryshimin e madh për të cilin të gjithë flasin.

“Ndryshimi vjen në shumë forma: ne kemi zgjedhur të jemi një nga ato: të mundemi të trashëgojmë vlera te brezat pasardhës, vlera të cilat askush më mirë se libri nuk mund t’i përcjellë”, thanë ata për dritare.net.

Këtë nismë të brezit të ri ne duhet ta mbështesim, sepse jo të gjithë nuk e duam shkollën, dijen dhe librin. Por ka dhe nga ata që mendojë për veten, çfarë do të bëjnë për të lënë diçka pas. Pikërisht këta nxënës janë ‘ata’ të cilët i nevojiten shoqërisë sot./

Nga Enkeleda Bodini-dritare.net