Në zgjedhje me Ramën kryeministër? – Basha: Shkoj që nesër, por …

11 janar2020

I pyetur nëse do të shkojë në zgjedhje me Ramën, kryeministër, kryedemorkati Lulzim Basha u shpreh se nuk e pengon asgjë atë personalisht që të shkojë që nesër.

Në bashkëbisedimin me gazetarët, Basha tha se beteja nuk bëhet për të apo për PD-në, por për qytetarët shqiptarë që ata të votojnë të lirë dhe pa u kërcënuar.

“Pyetje të tilla, të cilat bëhen në mënyrë të përsëritur nuk shkojnë tek thelbi i problemit. Nuk kam asnjë problem unë të shkoj që nesër në zgjedhje kështu siç jam. Problemi im është do arrish të votosh dot ti, të gjithë kolegët e tu dhe operatorët, apo do të pengoheni nga kriminelët. Kjo nuk është një betejë për Lulzim Bashën, as për PD, por është një betejë për ju.

Prandaj e kemi nisur dhe do ta përfundojmë me qytetarët shqiptarë. Nuk do të jetë diçka që do të përfundojë me një pakt politik, apo me një marrëveshje politike, midis partive politike për t’i kënaqur ato.

O do të ketë votime ku shqiptarët të votojnë të lirë e të pa kërcënuar dhe të mos ketë shitblerje masive të votave që dikton parlamentin dhe qeverinë e ardhshme, ose në të kundërt beteja do të vazhdojë derisa kjo të mundësohet”, u shpreh Basha.  

I pyetur nëse është i gatshëm të ulet në një tryezë me kryeministrin Edi Rama, Basha u shpreh se një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur kurrë sepse miti i uljes së kryetarit të opozitës me kryeministrin zgjidh gjithçka ka rënë.

“Jo nuk e nënkupton këtë për arsyen e thjeshtë se miti i uljes së kryetarit të opozitës me kryeministrin zgjidh gjithçka ka rënë. U provua dhe çfarë ndodhi?

Unë iu përmbajta marrëveshjes së 17 majit dhe Edi Rama vodhi më shumë vota se kurrë më parë. Prandaj le mos ti kthehemi një gjëje që e kam bërë të qartë. Nuk ka për të ndodhur diçka e tillë”, deklaroi Basha.

Gazeta Panorama