Ndihma për bizneset dhe familjet e prekura nga pandemia, FMN: Shqipëria e fundit në rajon. Në hartë me të njëjtën ngjyrë me shtetet afrikane

29, janar 2021

Mbështetja që qeveria ka dhënë për pandeminë rezulton të jetë 4.5 herë më pak se mesatarja e vendeve të rajonit.

Sipas raportit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi nivelin e mbështetjes financiare për pandeminë Shqipëria renditet e fundit në rajon për ndihmën e dhënë dhe në hartën e botës vendi ynë është me të njëjtën ngjyrë me shtetet afrikane.

Nga vendet e rajonit Shqipëria ka mbetur në nivelin 1.2% të Prodhimit të brendshëm Bruto për sa i përket ndihmës për situatën e shkaktuar nga pandemia. Rezulton se vendet e tjera të rajonit si Maqedonia, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi kanë dhënë mbështetje më të madhe për pandeminë.

Me Kosovën diferenca është mjaft e madhe pasi, shteti tjetër shqipfolës sipas FMN ka adresuar për pandeminë plot 5,6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Dy vendet kanë pasur të njëjtën qasje me 0.2 për qind të PBB si financim direkt për sektorin e shëndetësisë për të luftuar pandeminë, ndërkohë që diferencën e ka bërë mbështetja për sektorin jo shëndetësor.

Për të përballuar krizën e shkaktuar nga Covid, Kosova ka mbështetur familjet dhe bizneset me  plot 5,4% te prodhimit  kombëtar, ndërsa Shqipëria me vetëm 0.9% te PBB.

o.j/dita