Na ike i shtrënjti ynë Ruzhdi Rraklli! – Humbje e madhe për artin durrsak

13 shkurt 2021

Nga: Bujar Qesja:

Nuk e dija, madje as nuk mund ta mendoja, që mëngjesi akullt i 13 shkurtit 2021, do të vinte i trishtë si vetë koha. Mendime të mjegullta kanë kohë që kanë pushtuar mëndjet tona dhe qetësia shpirtërore na është trazuar ndjeshëm. Ora 09.30 minuta. E shtunë, 13 shkurt 2021. Dikush kishte marrë porosi të më njoftonte. Ah çfarë njoftimi!

-Ruzhdi Rraklli na la!

U shqiptuan vetëm 17 gërma. Gërma të rënda që goditën si plumb, në atë që quhet zemra ime, shpirti im, ndjesia ime. Ishte në axhendën time të përditshme, takimi me zotninë e rrallë të penelit. Takimi me një mik të hershëm, por edhe një memorie e gjallë për prindërit tanë të larguar nga jeta, për tërë atë brez idealistësh që punuan shumë, u strapacuan teksa bënë mirë e bukur atë që u takonte. Dhe ky burrë, që natyra e kishte skalitur me tiparet e spikatura të një njeriu të pashëm, stoik, me një qeshje që ia zbukuronte pamjen, ishte e përditshmja ime. Minutat që qëndroja me të, ishin nga më të çmuarat e ditës dhe me shumë mbresa.

Ruzhdi Rraklli! Me 4 mars 2021, do të festonim 82 vjetorin e lindjes. Dilje herët nga shtëpia dhe kishe nevojë të merrje ajrin joshës të qytetit tënd, të Durrësit tonë të përbashkët. Me një palë pupa, me një veshje praktike, me cigaren në buzët e rreshkura disi nga mosha, me dy duart e kryqëzuara mbrapa, ecje ngadalë. Shikoje shtëpijat për rreth dhe kujtoje shumë miq e shokë që nuk jetojnë më. Kur ktheheshe në shtëpi, e lije derën e jashtëme pak të hapur. E dije që do të vija unë dhe do të thërrisja:

-Mirmëngjes Ruzhdi Rraklli, mik i babës, mik i imi dhe i shumë durrsakëve! Mirmëngjes o njeriu ynë i mirë dhe i mënçur! Kalova dhe thjesht dhe po të përshëndes.

-Të keqen Bujar, ktheu kur të kesh kohë! Hajde të pimë nga një kafe, të flasim për punët që po bëjmë, por edhe për durrsakët e vjetër, pa të cilët jeta e jonë nuk kuptohet. Hajde se të dua fort!

-Do të vi Ruzhdi, miku ynë i rrallë. Nga të paktët që na ke mbetur dhe unë dua të çmallem. Gjej kohë dhe më shëno disa gjëra të jetës tënde. Ti je natyrë rebeli, duke e nisur më parë me kritikë nga vetja e jote.

Sa herë jemi takuar! Sa gjëra kemi diskutuar! Sa kam përfituar nga ty mik i dashur dhe i shtrënjtë! Më ishe bërë si ajri që më mbante gjallë. Më dukej se merrja bekimin për ditën e re që niste dhe mbuloja shpirtin me kënaqësinë e kujtimeve të tua. Nuk dua të shkruaj për problematikë, por qanim të dy së bashku kur për studio kishe muret dhe krevatin tënd të dhomës së gjumit.

Një piktor rrace, një grafist historik, shumë i rrallë, një kuadër i hershëm i dekorit të qytetit, një mjeshtër i disa ekspozitave, një shtegtar i palodhur i vendeve historike të Shqipërisë, Butrinti, Antigonea, Bylisi, Apollonia, të gjithë kalata e kohërave historike, angazhues po aq aktiv edhe në ditët e tanishme, duke punuar e punuar pa pushim, meritonte me shumë se një studio të thjeshtë.

Ruzhdiu im i dashur! Ike dhe na le. Ike me shkëlqimin e veçantë të një burri të rrallë. Nuk shqetësove kërkënd. Diabeti të kishte kërcënuar mjaft herë. Të lidhi jo pak edhe këmbët. Por ti sfidoje e sfidoje vazhdimisht. Krejt papritur u godite nga një hemoragji cerebrale, me nxitje nga ky diabet i mallkuar dhe brenda pak orëve erdhi edhe lajmi i kombshëm, i dhimbshëm dhe shumë, shumë trishtues. Unë jo se jo, por edhe gruaja, mrekullia dhe e bukura jote Jeta, vajzat si drita Albana dhe Arta, djali aq i njohur për durrsakët Xhemili, nipërit dhe mbesat, nuk do ta besojmë se ti na ike, për të mos u kthyer më.

Na qan shpirti, na qan xhani, na çahet shpirti për ty Ruzhdiu jonë. Sdo të mësohem që nuk do të shikoj më. Çdo mëngjes jam i sigurtë, që do të shikoj pak të hapur portën tënde, duke besuar se po më pret, e unë sërish do të thërras me të madhe:

-Mirmëngjes Ruzhdi Rraklli! E ti do të përgjigjesh si zakonisht:

-Po të pres Bujar, mos harro të kthehesh!

Pata një fat të madh, më shumë se kushdo. Kisha privilegjin që të takoja vazhdimisht. E një miku i jonë më kujtoi, se duhej të vazhdoja një shkrim të plotë për ty. Po vonohesha, pasi më dukej se shkruaja për ditë për ty, si seritë e një romani që nuk do të mbaronte kurrë.

Lotët na rrjedhin, ani se themi shpesh që burrat nuk qajnë. Qajmë me lot, por qajmë edhe me zemër. E dimë që nuk e kemi mirë. Por dimë edhe këtë tjetrën. Që kujtimet për ty, bukurinë tënde shpirtërore, dashurinë e pakufi për punën, penelin, telajon, që ishin dhe mbeten gjaku dhe mishi yt, për familjen, për miqtë dhe shokët, fqinjët nuk kanë për tu sosur kurrë.

Ruzhdi Rraklli

Lamtumirë i miri dhe i shtrenjti ynë Ruzhdi Rraklli!

Do të kaloj gjithnjë pranë shtëpisë tënde dhe gjithnjë do të shikoj që dera është pak e hapur. Dhe do të bërtas me të madhe:

-Mirmëngjes o Ruzhdi Rraklli!

Durrës: 13 shkurt 2021