14 Gusht 2025

Muzeu ikonografik “Onufri” në Berat mirëpret vizitorë nga e gjithë bota. Që nga fillimi i vitit  vizitorë të shumtë kanë kaluar pragun e tij, duke e kthyer këtë vend në një destinacion të dashur për ata që kërkojnë historinë, bukurinë dhe shpirtin e ikonave.Herë pas here Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat shprehet dhe për vizitorët që e vizitojnë, ku publikon dhe foto të muzeut. Muzeu është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin e XVI. Katedralja sipas mbishkrimeve që mbart rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine. Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pas-bizantine në qytetin e Beratit. Në materialin e QKMB-së për këtë muzeu thuhet se koleksioni i tij përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit.

“Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX”, thuhet për muzeun. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemër Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Kurse objektet liturgjike, kryesisht, mbajnë firmën e argjendarëve shqiptarë ndër shekuj. Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrit Stefan Barka nga Misrasi i Oparit dhe mjeshtër Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit në fillimin e shekullit të XIX. Ikonostasi i katedrales Fjetja e Shën Mërisë mban si datë vitin1807. Ajo konsiderohet si një ndër veprat më të mira të krijuara nga mjeshtrit shqiptarë të drugdhendjes.