31 Maji 2026

Edi Rama ka vijuar edhe ditën e sotme me propagandë e mashtrime, në lidhje me procesin e integrimit në BE.

Në podcastin e tij javore të propagandës, “Flasim”, Rama u shpreh se sipas tij, BE ka konfirmuar përmbushjen e të gjitha detyrave të Shqipërisë, në lidhje me negociatat.

Edhe pse zyrtarët e BE theksuan disa herë në raportin përmbledhës se Shqipëria duhet të luftojë korrupsionin, sidomos në nivele të larta dhe duhet të mos ketë ndikim në sistemin e dejtësisë, Rama thotë se Shqipëria i ka përmbushur me sukses këto pika.

Duke shpërfillur sërish faktin se shpëtoi Belinda Ballukun nga prangat, Rama bën të ‘paditurin’ dhe thotë se Shqipëria ka arritur të vendosë barazi përpara ligjit dhe se BE ka konfirmuar përmbushjen e të gjitha detyrave, për mbylljen e negociatave.

“Është një moment jashtëzakonisht kuptimplotë i kësaj rruge drejt anëtarësimit dhe është, në të njëjtën kohë, edhe një certifikim absolut i një pune të palodhur të një kohe të gjatë. Është një moment që sigurisht vjen me shumë satisfaksion, por njëkohësisht vjen edhe me shumë përgjegjësi, pasi ky nuk është thjesht një sukses në rrugën e negociatave dhe kjo nuk është një datë në kalendarin e integrimit, por është një rezultat i transformimeve të thella që vendi ynë ka bërë në dekadën e fundit, i reformave tejet të vështira e sfiduese, i konstatimit se institucionet tanimë janë ngritur, por njëkohësisht edhe i domosdoshmërisë për të konsoliduar shtetin ligjor, për të konsoliduar hapësirën e lirive individuale dhe për të konsoliduar atë që është thelbi, përpjekja për barazi përpara ligjit.

Është domethënëse që Bashkimi Europian konfirmon faktin e përmbushjes së suksesshme të të gjitha detyrave të deritanishme, pikërisht në ato fusha që lidhen me drejtësinë, me luftën kundër korrupsionit dhe me funksionimin e institucioneve demokratike, dhe sa një arsye për të qenë krenarë, aq edhe një arsye për të ndjerë të gjithë peshën e përgjegjësisë në këtë fazë të fundit, e cila nuk është më e lehta, por është më e vështira, për të cilën kemi një kalendar të dakordësuar me Komisionin Europian, që të arrijmë me sukses mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027. Kemi një hapësirë të ndërmjetme në vitin 2028 dhe kemi objektivin madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030″, është shprehur Rama.