Mjeku Alimehmeti: – Ndërsa Shqipëria ka nisur vaksinimin masiv të popullatës me vaksinën kineze sinovak vetë vendi i origjinës Kina po tregohet shumë e kujdesshme.

6 prill 2021

Ilir Alimehmeti, mjek epidemiolog analizon zhvillimet më të fundit në Kinë ku sipas tij vaksina Sinovac ka marrë lincencimin për t’u aplikuar në moshat poshtë 60 vjeç ndërsa shteti komunist po heton efektet mbi këtë moshë në shtet ku vaksina po aplikohet gjerësisht si në Brazil, Kili dhe Turqi.

Në harkun e 10 ditëve qeveria shqiptare ka mundur të vaksinojë me një dozë të parë të vaksinës kineze ‘Sinovac’ mbi 160 mijë të moshuar të moshave mbi 70 vjeç, ndërsa premtohet zbritja e vashës moshore tek personat mbi 60 vjeç dhe të sëmurët kronik.
Por nëse në Shqipëri dhe në disa vende të Azisë dhe Amerikës Latine vaksina Sinovac po gjen një përdorim masiv, vetë vendi i origjinës po tregohet shumë herë më i kujdesshme.

Mjeku epidemiolog klinicist, thotë se vetë Kina prodhuesi i vaksinës nuk është bindur ende për të licencuar përdorimin e gjerë të saj mbi moshën 60 vjeç. Nisja e vaksinimit masiv me vaksinën kineze sinovak ka hasur jo pak në skepticizmin e një pjese të popullatës si dhe në kundërshtinë e opozitës që thotë se më parë vaksina do të duhej të certifikohej nga institucionet ndërkombëtare.

Për më tepër dyshimet u ngritën pas raportimit në media të dy jetëve të humbura, 88 dhe 73 vjeç pak ditë pas kryerjes së vaksinës. Qeveria mohoi lidhjen shkak pasojë midis vaksinës dhe humbjes së jetëve edhe pse asnjë nga rastet nuk iu nënshtrua autopsisë. E ndërsa gara për të vaksinuar afër 8 miliard banorë në mbarë globin sa vjen dhe shtohet nuk ka asnjë informacion se kur vaksinat kineze përfshirë Sinovac do të marrin certifikimin nga organizatat ndërkombëtare të barnave si FDA dhe EMA.

Alimehmeti thotë se asnjë nga kompanitë kineze nuk kanë depozituar dosjen pranë agjensive ndërkombëtare të barnave si FDA dhe EMA. Ndaj dhe sipas tij ka pak gjasa që licencimi i tyre të ndodh brenda 2021. Por përdorimi i vaksinës kineze ka ngritur edhe një pikëpyetje të madhe nëse personat e vaksinuar me të do të kenë ose jo të drejtë për të lëvizur lirisht në Europë, Amerikë a më gjerë?

Eksperti thotë se pasaporta vaksinale është një gjë e pamundur edhe për vetë Uninion Europian.

E para, se jo të gjithë shtetasit europian do të mund të vaksinohen brenda vitit 2021 për shkak të sasisë së limituar të vaksinave.

E dyta: Nga vaksinimi përjashtohen moshat poshtë 18 vjeç që sërish do të privohen nga lëvizja e lirë. Eksperti thotë se diskutimi ‘Po’ ose ‘Jo’ pasaportës së vaksinës që ka nisur në BE është më shumë një debat burokratik sesa një nevojë shëndetësore dhe si e tillë pak gjasa ka të ndodh.

Gazeta Panorama