Mielli/ Nuk është vetëm Rusia. – Shqipëria kontrata dhe me tre shtete. Stafa: S’ka vend për panik

Nga OraNews

2 Mars 2022

Lufta në Ukrainë i ka frikësuar dhe qytetarët shqiptarë, të cilët janë dyndur nëpër magazina dhe supermarkete për t’u furnizuar me miell dhe ushqimore, nga frika se s’do ketë më rezerva ushqimore.

Ndërkohë Kreu i Qendrës Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit, Hasan Stafa në një intervistë për Ora News, tha se është përhapur një panik shumë i rëndë, pasi sipas tij vendi ynë nuk është në krizë nga furnizimi i dridhurave dhe miellit.

Hasan Stafa: Është përhapur një panik, një panik shumë i rëndë. Ne nuk jemi në krizë nga furnizimi i drithërave dhe miellit, ne mund të prekemi nga kriza. Kjo nuk do të thotë që ne duhet të shkojmë në panik dhe të biem pre e matrapazëve.

Ai tha se në këtë rast Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, duhet të ndërhyjë menjëherë, pasi është rritur çmimi i miellit, ndërsa ka shtuar se po përhapen shumë spekulime se s’ka rezerva ushqimore në vendin tonë.

Hasan Stafa: Kjo nuk është zgjidhje, është një mashtrim që qytetarët po bien pre. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të ndërhyjë sepse po bëhen spekulime. Përderisa nuk është ndërhyrë dhe brenda 8 ditësh rritet 3 herë çmimi i miellit, kjo do të thotë se nuk janë marrë masat. Kontrolli nuk është efikas këtu. Duhet t’u themi qytetarëve se për 3 milionë e 400 mijë po të jemi rezident në Shqipëria ka sasi drithërash të garantuar të rezervuara.

Më tej ai tha se edhe pse nuk marrim më miell dhe drithëra nga Rusia, vendi ynë ka alternativa të tjera.

Hasan Stafa: Ne kemi kontrata me Rumaninë, Bullgarinë dhe Serbinë. Kemi zgjidhje alternative nuk është vetëm Rusia. Pritet që në muajin Prill të ketë një rritje prej 2% në treg global. Nuk jemi në vitin 1999, s’ka vend për panik. Kemi rezervat tona për 5 muaj. Është abuzive dhe shumë e rëndë që për 4  ditë të ngrihet një kuintal miell me 2 mijë lekë të reja.