
Mëshirimi poshtërues per Edi Ramen nga Grida Duma dhe Ylli Rakipi për Edi Ramën
9 Maji 2025
Nga Ilir Dako
… – Në studion e Gridës ne pamë një plak gojëpisët, grindavec dhe mistrec, që është rudhur, është mpakur dhe është kërrusur nga zhulnaja qeverisëse që e ka mbytur. Ne pamë një kryeministër pa optimizëm, me një thes mashtrimesh boshe, të cilat tallin inteligjencën kombëtare duke dhënë opsion përfundimtar Nocin e Rrokajve.
Dy intervistat e fundit të Edi Ramës, në dy formate të ndryshme televizive, demonstruan para ndjekësve rrënimin e një personazhi pas 12 vite qeverisëse në një qënie për të ardhur keq.
Si në emisionin me Ylli Rakipin dhe atë me Grid Dumën shihej mëshira e moderatorëve dhe gazetarëve ndaj një njeriu në hall të madh. Të dy formatet televizive kishin bërë një pakt të heshtur me kryeministrin shqiptar, ta mëshironin dhe mos ti bënin pyetje që nuk kishte mundësi ti përgjigjej.
Gjatë të dy intervistave vihej re sforcimi i gazetarëve për ta lënë KM të përalliste ç’të kishte dëshirë për mos ta nxjerrë keq para elektoratit me bëmat e tij monstruoze gjatë qeverisjes së tij të superkorruptuar dhe skandaloze.
Edi Rama në vend të një komunikimi dinjitoz zgjodhi të përdorte gjuhën e lacit, të fortit të lagjes, cubit të katundit ku në fjalorin e tij preferoi të ishte gangua i llumit dhe jo intelektuali elokuent.
Në gjuhën e tij të shoqëruar me fyerje për mediat, opozitën, politikën, intelektualët dhe popullin e tij, ai shfaqi para njerëzve një personazh me një komunikim zhargoni nevojtoresh, sesa me gjuhën e një artisti, piktori, fëmijë intelektualësh, apo dhe politikanit dhe kryeministrit të shqiptarëve.
Kënetat mediatike, llumi mediatik, bufi i kënetës, çyrykët, autikët, etj janë i zhargon i një personazhi që vjen nga bota e errët e llumit të rrugës, apo krimit, jo një personazhi që pretendon të jetë elita e kombit.
Gjuha politike mbarëbotërore e njerëzve që udhëheqin shtetet mbizotërohet nga etika e komunikimit me qytetarët dhe jo nga dhizma të niveli rrugaçëror. Kemi parë shumë intervista në mbarë botën, duke filluar që nga Italia, Gjermania, Franca dhe gjithë europa, po një shembull si ky nuk na ka proftasur ndonjëherë.
Edi Rama është transformuar. Nuk është më ai politikani plot kolorit që u mësuam të shikojmë gjatë viteve të para si ministër kulture apo dhe kryetar bashkie. Mund të kujtojmë shumë mirë veshjet e tij me çitjane, çorapet e kuqe apo dhe kollaret plot lara që impresiononin militantët në mbarë vendin, ku spikaste sqima e një artisti që kishte jetuar oksidentin si rrallëkush në Shqipëri. Mund të kujtojmë ekspresivitetin e tij djaloshar që frymëzonte, pavarësisht defekteve apo gabimeve që mund të ketë bërë në drejtimin e bashkisë.
Por jo, sot ai ka ndryshuar.
Edi Rama është plakur. Jo fizikisht por mendërisht.
Edi Rama është agravuar kulturalisht, nga një intelektual është shndërruar në një gango fshati ku spikat gjuha e rrugës me banalitete.
Edi Rama është lodhur. E lodhi korrupsioni 12 vjeçar i cili i ka futur në burg, ose nën hetim gjithë qeverinë me veten në krye.
Edi Rama ka dështuar, se megjithëse ka hedhur plot 10 miliardë euro shpenzime kapitale, nuk ka një vepër për tu mburrur.
Edi Rama është korruptuar, pasi filozofia e tij për të ngritur shtetin mbi koncencionet ishte filozofi korruptive që në partencë. Koncencionet në shëndetësi, inceneratorët, rrugët dhe shumë të tjera janë dështimi i tij kapital.
Edi Rama është shterpëzuar. Mjafton të shohim që fushatë pas fushate mburret me allatet e tij, me të cilat korri sukses në 2007 falë gazetës SOT, por që sot duket një stisje demode.
Kryeministri i Shqipërisë në intervistat e lartpërmendura megjithëse u mundua ti prezantohej shqiptarëve si njeriu i duhur për tu zgjedhur sërish në datën 11 maj, nuk ishte në gjendje premtonte më asgjë.
I mashtroi me rritjen e pensioneve, i mashtroi, me rritjen e pagave, i mashtroi me shëndetësinë falas, i mashtroi me ujë 24 orë, i mashtroi me 300 mijë të punësuar, jo në Shqipëri por rrugëve të botës, duke përzënë energjinë e kombit, të cilin e ka plakur me largimet masive të krahut të punës dhe mendjes që ndodhën nën qeverisjen e tij.
Në studion e Gridës ne pamë një plak gojëpisët, grindavec dhe mistrec, që është rudhur, është mpakur dhe është kërrusur nga zhulnaja qeverisëse që e ka mbytur. Ne pamë një kryeministër pa optimizëm, me një thes mashtrimesh boshe, të cilat tallin inteligjencën kombëtare duke dhënë opsion përfundimtar Nocin e Rrokajve.