8 Nentor 2022

Franca dhe Britania e Madhe janë në kufijtë e arritjes së një marrëveshje për bllokimin që në nisje të gomoneve me emigrantë të paligjshëm, por mediat në ishull vijojnë të bëjnë bilancin e kostove që rëndojnë mbi buxhetin e Home Office, si pasojë e trajtimit të mbi 40 mijë azilkërkuesve që kanë mbërritur nga Kanali.

Sipas DailyMail, Home Office po shpenzon miliona paund vetëm për taksi që transportojnë emigrantët në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, me disa prej shoferëve që pretendojnë se u është thënë t’i lëshojnë pasagjerët në stacione hekurudhore pa asnjë protokoll ruajtje apo sigurie.

Sipas një analize të kontratave publike janë paguar më shumë se 3.7 milionë paund vetëm vitin e kaluar për taksi, furgona dhe autobusë për të lëvizur azilkërkuesit, emigrantët e paligjshëm dhe të miturit e pashoqëruar.

Një marrëveshje me një ofrues transporti raportohet të jetë me vlerë 3.3 milion paund dhe mbulon transportin urgjent për ‘hyrësit klandestinë’ kur numri i njerëzve që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar pasi kalojnë Kanalin është më shumë se sa mund të përballojnë objektet lokale. Kontrata e parë thotë ekzaktësisht kështu:

“Ka një interes publik sepse emigrantët janë të ekspozuar për t’u parë në Dover Tughaven dhe grupet e protestës mblidhen atje rregullisht. Shërbimi i transportit emergjent do të sigurojë një shpërndarje të shpejtë të numrit të emigrantëve… duke reduktuar rrezikun e mbipopullimit dhe incidenteve të mundshme”.

Kontrata mbulon gjithashtu lëvizjen e azilkërkuesve nga qendrat e përpunimit si Manston në hotele, transferimin e njerëzve midis qendrave të karantinës dhe marrjen e të miturve të pashoqëruar në strehimore. Disa shoferë thanë se u ishte kërkuar që t’i linin emigrantët jashtë stacioneve hekurudhore në Londrën qendrore për t’i lejuar ata të shkonin në destinacione të ndryshme.

Një punonjës i taksive tha për The Times se ai u pagua rreth 150 paund për të çuar tre të rinj nga Manston në stacionin Kings Cross në Londër muajin e kaluar. Një shofer tjetër, i quajtur Rizëan, pretendoi se ishte udhëzuar të linte emigrantët e paligjshëm në stacionet e Londrës.

“Më kanë thënë njerëz me shenjë identifikimi të Home Office…‘Thjesht hidhini ata në Londër, askush nuk kujdeset, është mirë, stacioni King’s Cross është OK, ose stacioni Victoria. Në disa raste ka pasur afganë në pjesën e pasme të makinës sime dhe ne kemi një gjuhë të përbashkët. . . ata më treguan dokumentet, thuhej se më kanë refuzuar, nuk kam asnjë bazë të jem në këtë vend ose çfarëdo tjetër, por ata lihen të lirë”, ka zbuluar ai.

Taksisti Rizwan i ka thënë medias britanike se përveç afganëve kishte nxjerrë shumë shqiptarë nga kampi i Manston.

“Nëse duan të shkojnë në hotel ose duan të zhduken, kjo u takon atyre. Ajo që ka ndodhur është se unë i kam zbritur dhe menjëherë i ka marrë nga dikush me një BMW luksoze dhe ata janë larguar”, tha ai.

Lajmi vjen pas raportimeve se azilkërkuesit po braktiseshin në stacionin qendror të Londrës, “Victoria Station” të martën mbrëma. Njëmbëdhjetë burra u dërguan me autobus në kryeqytet si pjesë e një grupi më të madh dhe u lanë të hutuar në rrugët e qytetit. Një zëdhënës i Policisë Britanike të Transportit tha se oficerët iu përgjigjën raporteve të një grupi azilkërkuesish që ‘kërkonin ndihmë’ në stacionin “Victoria” në orën 22:33.

“Mirëqenia e atyre që janë në kujdesin tonë është e një rëndësie të madhe dhe njerëzit lirohen nga Manston vetëm kur ne kemi garanci se ata kanë strehim për të shkuar. Ne mund t’i dorëzojmë individët ku mund të strehohen nga miqtë dhe familja, dhe për këtë arsye dhe transporti u sigurohet njerëzve që largohen nga Manston”, tha një zëdhënës i Home Office.

Gazeta Shqiptare