“Me urgjencë drejt Tiranës”/ Të kthyer nga Italia, 4 persona nga Skrapari dyshohen me koronavirus

09/03/20 |

Katër pacientë nga Skrapari dhe Berati janë nisur drejt QSUT-së Tiranë. Ndonëse ende nuk dihet se nga se vuajnë, pacientët shfaqnin simptoma të njëjta me COVID-19, temperaturë të lartë dhe bllokim në frymëmarrje. ‘BalkanWeb’ raporton se njëri nga rastet, një 22-vjeçare kishte disa ditë që ishte kthyer nga Italia.

Një çift bashkëshortësh nga Skrapari dhe fqinja e tyre, dhe vajza e re janë nisur mesditën e sotme me urgjencë drejt Tiranës. Vajza, që prej disa ditësh ishte kthyer nga shteti fqinj, ndërsa ajo ishte fqinje me çiftin e bashkëshortëve, të moshës 45 dhe 47-vjeç.

Ata kanë qenë të tre me temperaturë të lartë dhe bllokim në rrugët e frymëmarrjes. Lajmi konfirmohet nga një infermiere e spitalit të Skraparit, e cila është kërcënuar së bashku me infermierët e tjerë nga drejtuesit e spitalit që të mos tregojnë në lidhje me rastet.

Ajo ka konfirmuar se, të treja rastet kanë qëndruar disa ditë në Spitalin e Skraparit dhe sot janë nisur me ambulanca në QSUT Tiranë, në gjendje të rënduar, kurse drejtuesit e Spitalit të Skraparit e mohojnë kategorikisht që të ketë ndodhur. Përveç tre rasteve të nisura nga Skrapari drejt QSUT-së mesditën e sotme, një tjetër rast me simptoma të njëjta është në Tiranë nga Spitali Rajonal i Beratit.

Lajmi konfirmohet nga drejtoresha e Spitalit të Beratit, Edlira Shkëmbi, e cila ka pohuar se rasti me temperaturë të lartë dhe vështirësi në rrugët e frymëmarrjes ishte nga Skrapari dhe pasi u mbajt disa orë në Spitalin e Beratit, u nis drejt Tiranës.

Kujtojmë se deri më tani në vendin tonë janë shënuar dy rastet e para me koronavirus, ndërsa bëhet fjalë për babë e bir, të kthyer pak ditë më parë nga Italia./BW/

Nga: mapo.al