Mbi 12 mijë fotonegativa ruhen në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë

28 Gusht 2026
Nga Julia Vrapi
Fondi prej mbi 12 mijë fotonegativësh i Muzeut Historik Kombëtar po kalon në procesin e digjitalizimit nga Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit. Puna, e cila ka nisur prej më pak se një viti, ka sjellë deri tani 4289 fotografi të digjitalizuara. Procesi synon ruajtjen e këtij fondi fotografik dhe kthimin e tij në një pasuri digjitale. Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit e cilëson këtë një punë të rëndësishme për ruajtjen e trashëgimisë fotografike, duke theksuar se gjatë procesit kanë dalë në dritë fotografi të panjohura më parë.
“Një punë e shkëlqyer që ka më pak se një vit që ka nisur. Deri tani kanë dalë në dritë 4289 fotografi aspak të njohura nga një Shqipëri që vetëm ka ndryshuar!”, thuhet nga AQSHF. Në shtator 2025, AQSHF dhe Muzeu Historik Kombëtar zyrtarizuan bashkëpunimin për digjitalizimin e Fototekës së MHK-së, në kuadër të misionit të përbashkët për ruajtjen e kujtesës vizuale. Sipas marrëveshjes, AQSHF do të krijojë njësi digjitale dhe metadata për çdo element të fototekës, ndërsa projekti synon ta kthejë këtë fond në një pasuri digjitale sipas standardeve bashkëkohore.
Fototeka e Muzeut Historik Kombëtar, një koleksion me vlerë dokumentuese
Fototeka e Muzeut Historik Kombëtar, e krijuar që prej vitit 1981, përmban mbi 12 mijë fotonegativë. Më herët sipas AQSHF-së, ky koleksion i çmuar dokumenton njerëz, ngjarje, objekte muzeore dhe aktivitete që pasqyrojnë historinë dhe trashëgiminë tonë kombëtare. Ndërsa projekti me në fokus digjitalizimin është një hap i rëndësishëm drejt garantimit të qasjes, ruajtjes dhe promovimit të historisë sonë të përbashkët për brezat e sotëm dhe ata të ardhshëm. Po në shtator të vitit të kaluar, Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit dhe Universiteti Politeknik i Tiranës nisën një tjetër projekt, këtë herë për shpëtimin dhe ruajtjen e trashëgimisë filmike me karakter edukativ.
Projekti synon arkivimin dhe konservimin e një fondi të gjerë që përfshin filma 35mm dhe 16mm, si dhe mijëra fotografi historike, që përbëjnë një pasuri të rëndësishme për historinë dhe kujtesën vizuale shqiptare. Materialet, të ruajtura ndër vite në kushte jo gjithmonë të përshtatshme teknike, ndodheshin në rrezik degradimi, duke kërkuar ndërhyrje për të shmangur humbjen e tyre të pakthyeshme. Arkivi i Filmit i Shqipërisë (AQSHF) gjithashtu është kujdestari ligjor i prodhimit kinematografik shqiptar i filluar nga viti 1947 e në vazhdim, kryesisht i përbërë nga produksionet nga një njësi e vetme shtetërore, Kinostudio “Shqipëria e Re”, e cila filloi aktivitetin e saj në vitin 1952 dhe u mbyll në vitin 1992.
