Listat e Vdekjes

Listat e vdekjes të Sigurimit, personat që ekzekutoheshin. –

Nga Kastriot Dervishi

Pasi regjimi komunist u konsolidua në pushtet, në vitet ’60 filloi të përpunojë idenë e krijimit të listave dyllojësh ndaj elementit të rrezikshëm. Në rast të pushtimit të Shqipërisë nga ndonjë shtet tjetër, personat që përbënin këto lista, ekzekutoheshin. Listat që pas vitit 1992 u njohën si “lista vdekjeje” përpiloheshin mbi bazën e regjistrit të përpunimeve aktive 2A dhe kontrolleve operative 2B. Elementët kundërshtarë përzgjidheshin nga punëtorët operativë, të cilët nuk njiheshin më me formën përfundimtare të listës. Direktiva “Mbi funksionet dhe detyrat e organeve dhe reparteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme për kohë lufte”, miratuar nga Këshilli i Mbrojtjes së RPSH-së shërbeu si baza e parë ku mbështeteshin veprimet kundër kundërshtarëve të regjimit. Bazuar në urdhrit nr.507, datës 7.4.1969 të ministrit të Punëve të Brendshme“Mbi funksionet dhe detyrat e organeve dhe reparteve të MPB-së në kohë lufte”, punëtorëve operativë nuk u lejohej njohja me masat dhe gatishmërinë për të spastruar zonat nga “elementët e rrezikshëm armiq”, por u lejohej pjesëmarrja në studimin e “personave armiq”, për të caktuar në listat përkatëse objektet që ndjekin dhe kanë në evidencë. Listat mbaheshin në një ekzemplar vetëm nga kryetari i degës së punëve të brendshme në dosjen e gatishmërisë dhe si të tilla nuk pasqyroheshin në dokumente të tjera. Çdo kryetar dege hapte zarfin e kodifikuar për kohë lufte dhe urdhëronte likuidimin e elementit kundërshtar brenda rrethit ku kishte juridiksionin. Kategoria e personave që bënte pjesë në listën nr.1 ekzekutohej. Ata të listës nr.2 internoheshin ose burgoseshin në vende të posaçme me llogarinë për t’i përdorur si robër lufte. Përveç numrit, lista kishin edhe germat identifikuese. Referimi në akte për të mos kuptuar gjë, bëhej në formën e mëposhtme:

-Seria “C”, lista 1, “element armik në gjendje në lirë”

-Seria “D”, lista 2, “element armik në gjendje në lirë”

-Seria “DH”, lista 1, “element armik” në kampe e burgje

-Seria “E”, lista 2, “element armik” në kampe e burgje

Listat e Vdekjes

Në fillim të viteve 1960, përllogariteshin për t’u ekzekutuar menjëherë në rast pushtimi të Shqipërisë, rreth 1 mijë persona dhe rreth 3-4 mijë në gjendje të lirë të burgoseshin.

Nga kampet e burgjet, Burreli e Spaçi zinin vendin më të madh. Rrethet që kryesonin listën ishin: Tirana, Shkodra, Korça, Elbasani, Vlora, Fieri, Dibra.