“Kuvendi duhet t’i heqë imunitetin Ballukut”, Koçi i prerë: – S’ka pse të pritet Gjykata Kushtetuese

6 Shkurt 2026
Ish deputeti socialist, Petro Koçi theksoi se parlamenti duhet që ta miratojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, e marrë e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për një sërë procedurash të tjera tenderuese.
Në një intervistë televizive, Koçi tha se, argumenti për të pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ankimimin e qeverisë për pezullimin e Ballukut nga detyra, nuk qëndron për shkak se çështja e pezullimit dhe ajo e heqjes së imunitetit janë krejtësisht të ndryshme.
Sipas tij, GJK do të dalë me një vendim për të krijuar një precedent nëse gjykata mund ta pezullojë apo jo një anëtar qeverie dhe se kërkesa e SPAK, për arrestin, vjen teksa ka gjykuar se ka dyshime për prishje hetimesh apo intimidim dëshmitarësh.
“Këta thonë Berisha është i përndjekur politik, kurse Balluku duhet të vejë në burg. Këta nuk thonë se duhet të vazhdojë ndjekja penale ndaj Ballukut. Për mua është normale, pra dhe parlamenti duhet të japë lejen. Për mua nuk qëndron pritja e GJK sepse janë çështje të ndryshme. SPAK nëpërmjet GJKKO ka kërkuar lejen për arresti kurse GJK është duke shqyrtuar kompetencën SPAK e GJKKO për të drejtën ose jo të pezullimit të një ministri.
Dhe del nga rasti i Ballukut, mendoj se GJK është duke shqyrtuar cështjen në parim, nëse këtej e tutje duhet ta ketë të drejtën GJKKO të pezullojë ministra. Për mua, derisa e kanë bindje që ndodh kështu, duhet ta bëjnë. Tjetër gjë që bie ndesh me interes politik dhe individual. Ne duhet ta mendojmë veten sikur jemi pjesë e SPAK. SPAK duhet t’i rrijë besnik objektivit që ka dhe objektivi është që të ruajë provat. Ndjekja penale nuk është për zv kryeministër por për ministër.”, u shpreh Koçi.
