Kush po i merr 140 milionë Eurot?

Nga Fatos Çoçoli

Në këtë botë, në jetë ka qëlluar shpesh, me qindra mijëra herë që të bëhesh i pasur duke ndërtuar diçka ose duke u shërbyer njerëzve. Por paska edhe raste shumë të rralla, ndoshta unikale, kur pasurohesh duke mos e ndërtuar atë që projekton dhe duke fajësuar nëpër gjyqe ortakët që të kanë besuar sipërmarrjen.

Sipas medias italiane, sipërmarrësit italian Françesko Beketi (në italisht Francesco Becchetti), një nga bankat më të mëdha të botës, banka gjermane Deutche Bank i ka paguar 159 milionë euro për një hidrocentral të licencuar dhe të pandërtuar në Shqipëri.

Të gjithë ne e dimë dhe e kemi dëgjuar emrin e hidrocentralit-ëndërr: hidrocentrali i Kalivaçit. Por s’i ndodhi që një italian i zgjuar të pasurohet duke mos ndërtuar në Shqipëri? Këtë na e tregojnë gazetarët italianë. Sipas gazetarit italian Lorenzo Bagnoli në shkrimin e tij “Agon Channel-mashtrime miliona euro dhe riciklim i jashtëzakonshëm parash: akuzat ndaj Beketit”, të datës 14 dhjetor 2015 në gazetën italiane “Fakti i ditës” (https://www.ilfattoquotidiano.it/2015/12/14/agon-channel-truffe-milionarie-e-enorme-riciclaggio-le-accuse-a-becchetti/2303476/), sipërmarrësi Becchetti mori nga shteti shqiptar në vitin 1997 një leje për të ndërtuar një digë (hidrocentral) me fuqi 80 megavat mbi lumin Vjosë, në luginën e Kalivaçit. Për të marrë lejen, ai themeloi shoqërinë aksionere “Kalivac Green Energy (në anglisht-Energjia e Gjelbër e Kalivaçit)”.

Në këtë shoqëri, italiani Françesko Beketi, nip i Mario Cerroni-t, manjatit italian të prodhimit të energjisë nga plehrat, pronar i fushës së plehrave më të madhe të Evropës, Malagrotës pranë qytetit të Romës, me njohjet e tij mundi të tërheqë si ortak, fillimisht gjigantin shtetëror italian të energjisë ENEL dhe më vonë  superbankën gjermane Deutsche Bank.

Po ç’ndodhi mes Beketit dhe  ENEL? Këtë e shpjegon një tjetër media italiane “Magazinedonna.it”,  në artikullin e saj “Misteri Agon Channel bën të dridhet edhe vetë ENEL-in” (https://www.magazinedonna.it/mister-agon-channel-fa-tremare-anche-lenel/21985/”. Sipas saj, rreth vitit 2000, Françesko Beketi bind administratorin e ENEL Franco Tatò dhe Presidentin Chicco Testa të ndërtojnë së bashku një hidrocentral me fuqi 100 megavat në Shqipëri. Italianët e ENEL u bindën, pasi Françesko ju tha se energjia e prodhuar do të transportohej pastaj në Itali me një kabllo nëndet të quajtur Unaza Mesdhetare. Falë kësaj infrastrukture dhe marrëveshjes dypalëshe Itali-Shqipëri, energjia elektrike shqiptare do të shitej në Itali me zbritjet e taksave për energjinë e rinovueshme. Mirëpo marrëveshja nuk u zbatua dhe Beketi u ndje i tradhtuar.

Mendoi ta hedhë në gjyq ENEL. I kërkoi 440 milionë euro dëmshpërblim. Mes procedurave të arbitrazhit, sekuestrimeve paraprake të pasurive dhe konfiskimeve, mosmarrëveshjet e Beketit me ENEL kanë vazhduar rreth 18 vjet. Deri më tani janë zhvilluar pesë procedime ndërkombëtare gjyqësore, të iniciuara nga Françesko Beketi me kompaninë “Beg (Becchetti Energy Group) Ambient Shpk” në Francë, Holandë, Nju Jork, Luksemburg dhe Irlandë. Çështja peshon si një Shpatë Damokleu në buxhetin e ENEL. Në raportin e fundit të buxhetit të ENEL, ekspertët financiarë të gjigantit i kushtuan asaj 3 faqe.

Në vitin 2002, kompania e ndërvarur nga ENEL “Enelpower” fitoi në kasacion, por Françesko Beketi kishte fituar një gjyq në një gjykatë shqiptare dhe i kërkoi Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që të zbatojë vendimin shqiptar. Edhe pse gjykatësit e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut e vlerësuan kërkesën si të papranueshme, Beketi nuk u ndal dhe iu drejtua gjykatave të gjysmës së botës.

Ndërkohë, sipas gazetarit italian Lorenzo Bagnoli në shkrimin e mësipërm, Françesko Beketi bind investuesit e bankës gjermane Deutsche Bank të investojnë në energjinë e rinovueshme në Shqipëri dhe e kalon shoqërinë aksionere “Energjia e Gjelbër e Kalivaçit” që zotëron nën kontrollin 100 për qind të kompanisë “Hydro srl”. Kjo shoqëri gjatë viteve 2007-2013 kalon 55 për qind në pronësi të familjes Becchetti, nëpërmjet grupit energjetik Beg (Becchetti Energy Group) sh.a dhe 45 përqind në pronësi të Deutsche Bank. Sot ajo i përket vetëm grupit energjetik Beg sha (ku aksioner me 10 përqind është daja i tij manjati i riciklimit të plehrave, Mario Cerroni).

Po si? Sepse shoqëria aksionere “Energjia e Gjelbër e Kalivaçit” pagoi për të ndërtuar hidrocentralin kompaninë “Energij”, një kompani tjetër të familjes Becchetti, me pronar kryesor shoqërinë “Costruzioni srl”, në pronësi të nënës së Françeskos. Në vitin 2009, Françesko i kërkon Shoqërisë aksionere “Energjia e Gjelbër e Kalivaçit” një kompensim prej 48 milionë eurosh për 911 ditë punë të “Costruzioni srl”që nuk janë paguar kurrë. Deutsche Bank nuk pranon të paguajë 45 përqind të kësaj shume. Beketi e hedh në gjyq në Shqipëri dhe gjykata jonë vendos në favor të tij.

Sigurisht, Deutsche Bank nuk pranon të paguajë për punë që nuk janë kryer kurrë. Mirëpo italiani i zgjuar Françesko Beketi, me vendimin e gjykatës shqiptare në dorë, e hedh në tre gjyqe ndërkombëtare bankën gjermane Deutsche Bank. Dhe letrat, marrëveshjet flasin në dobi të tij.  Në dy nga këto tre gjyqe ndërkombëtare, Deutsche Bank humbet dhe vendos të mos e çojë më tej. Gjithnjë sipas mediave (vetë banka nuk ka konfirmuar) i paguan 159 milionë euro italianit që hiqet si viktimë se nuk i kanë bërë punën.

Beketi provon, së bashku me dajën e tij Mario Cerronin të futet në industrinë e riciklimit të plehrave në Shqipëri, duke sjellë plehra nga Italia. Por nuk i ecën, për shkak të kundërveprimit popullor që e detyron qeverinë e Fatos Nanos të zmbrapset.

Po pse i thamë të gjitha këto për Beketin? Sepse ky njeri, ky mjeshtër i pasurimit duke hedhur në gjyqe ndërkombëtare të tjerët për punë të pakryera, pasi i bind për një investim që nuk e bën, me asin e projektit “Hidrocentrali i Kalivaçit” nën mëngë, ia doli të fitojë edhe kundër shtetit shqiptar. Dhe të na bëjë të paguajmë ne dhe fëmijët tanë, nga taksat që do të na rriten, edhe 140 milionë euro dëmshpërblim nga arka e shtetit tonë.

Po si? Gjithçka nis nga një vendim i nxituar i gjykatës sonë në qershor 2015. Duke gjurmuar (pa i provuar si duhet) transaksionet e Beketit, prokurori shqiptar arrin në përfundimin se sipërmarrësi Françesko Beketi, sipas gazetës italiane “La Repubblica” (https://www.repubblica.it/cronaca/2015/06/10/news/becchetti_io_vittima_innocente_del_governo_albanese_ma_non_chiudero_agon_-116527705/, ka kryer veprat penale të falsifikimit të dokumenteve, përvetësimit, pastrimit të parave dhe evazioni fiskal. Mbi bazën e këtyre përfundimeve të prokurorit, gjykata jonë merr vendimin për arrest ndërkombëtar për Françesko Beketin dhe ekstradim në Shqipëri, për t’u gjykuar për akuzat e mësipërme. Italiani vendoset nën arrest shtëpie në Londër më 26 tetor 2015. Prej andej, ai hap sagën e re të gjyqeve ndërkombëtare. Kësaj radhe i drejtohet Qendrës Ndërkombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve për Investimet, një gjykatë pranë Bankës Botërore. Kjo Qendër, sipas portalit italian TVBlog.it të datës 7 mars 2016,  (https://www.tvblog.it/post/1261193/agon-channel-francesco-becchetti-invita-a-sospendere-il-procedimento-penale), e fton Shtetin shqiptar të pezulloje procedurën penale kundër Francesko Beketit, pronar i televizionit Agon Channel.

Vendimi u mor unanimisht më 3 mars 2016, nga trupa e arbitrazhit e Qendrës. Ky vendim gjithashtu  rekomandoi pezullimin nga Shqipëria të procedurës së ekstradimit që shteti ynë i ka kërkuar Mbretërisë së Bashkuar për të ekzekutuar urdhër-arrestin e lëshuar në qershor 2015 kundër Francesko Beketit dhe Mauro De Renzis, drejtor i Agon Channel (ICSID Rasti Nr. ARB/15/28, Hydro Srl, Costruzioni Srl, Francesco Becchetti, Mauro de Renzis, Stefania Grigolon dhe Liliana Condomitti kundër Shqipërisë).

Kjo ftesë, ky rekomandim duhej të ishte vlerësuar urgjentisht nga shteti ynë, nga Avokati i Shtetit! Në rast se Avokati i Shtetit nuk ka vepruar, ky institucion mban përgjegjësi të plotë. Së pari, Avokati i i Shtetit duhej të kishte peshuar pranë qeverisë sonë shanset për të humbur këtë gjyq në këtë Qendër. Nëse ato do të ishin mbi 50 përqind, duhej që rekomandimi i Qendrës Ndërkombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve për Investimet të ishte pranuar! Mospranimi i tij po na kushton sot 140 milionë euro. Nëse ka mundësi rekursi gjyqësor, ato duhen parë urgjentisht. Ndoshta të gjitha këto referenca të shtypit italian mund të ndihmojnë kauzën tonë.