“Kriza politike, lidhet me kapjen e pushtetit”/ Shkullaku: – Kushti numër 1 është dorëheqje e panegociueshme e Edi Ramës

Gazetari Armand Shkullaku, i ftuar në nje studio televizive ka folur për protestën qytetare në ditën e 23-të të saj në Tiranë, duke e vendosur theksin te përgjegjësia politike dhe situata brenda mazhorancës.
Shkullaku u shpreh se kërkesa kryesore e protestës për largimin e qeverisë ka rrëzuar, sipas tij, narrativën e deritanishme politike, që justifikonte pushtetin e Edi Ramës me mungesën e alternativës apo me kundërshtarin politik.
Ai theksoi se përgjegjësia për situatën politike bie mbi Edi Ramën, duke e cilësuar atë si faktorin që mban të bllokuar sistemin politik në vend.
Në analizën e tij, Shkullaku tha se protesta ka ekspozuar, sipas tij, një sistem të mbyllur politik dhe propagandistik, i cili ka mbajtur për vite me radhë narrativën se mungesa e alternativës është arsye për vazhdimësinë e pushtetit.
Ai akuzoi Edi Ramën për përdorimin e propagandës dhe krijimin e një realiteti politik të deformuar, ku fajësohen faktorë të jashtëm dhe kundërshtarë të ndryshëm për problemet e vendit.
Shkullaku theksoi se kriza politike nuk lidhet me mungesën e alternativave, por me, siç u shpreh ai, kapjen e sistemit nga pushteti aktual dhe pamundësinë për ndryshim brenda tij.
‘Problemi është që ata që janë aty kërkojnë pikën e panegociueshme, kërkojnë të ikë qeveria. Dhe pikërisht nga kjo bie i gjithë debati që kemi bërë deri në këtë kohë, që e përdorin Berishën si alibi për të justifikuar narko-shtetin e Ramës.
Pse bie? Çfarë thoshin? Po pse të ikë Rama? Kush të vijë mo? Sali Berisha? Po Rama prandaj s’ikën se s’do Berisha.
Ata kanë zgjidhje: të ikë Rama, le të mblidhen bëjnë qeveri teknike, le të hapin alternativa, le të ndryshojnë Kodin Zgjedhor, do dalin.
Pikërisht protesta këtë ka rrëzuar, që nuk është problemi mungesa e alternativës apo që s’ka opozitë, problemi është ai që e mban këtë të ngulfatur, që ka Kushtetutën.
Mund të ishte Berisha kryeministër atëherë po, po gjithë problemi është te ai që ka pushtetin.
A po deri tani kemi thënë se Rama fiton zgjedhjet o burrë. Çfarë t’i bësh? Të tha 83 mandate, mund të merrte 94.
Tani ti fusi atje, se nuk të hyjnë në punë mandatet kur i ke të vjedhura, se dalin njerëzit në rrugë dhe thonë mandatet e tua janë të panegociueshme dhe do ikësh.
Kjo pra në qoftë se ka një moment që debati jonë i jep një shpjegim, është pikërisht kjo protestë. Do të shkojë opozita mbas Sali Berishës në humnerë, le të shkojë.
Çështja është që kush po e mban peng vendin. Do fitojë Rama zgjedhjet se çfarë na thoshin ne gjithë këto vite. Ti thoshe jo re ky i ka vjedhur.
Po çfarë i ka vjedhur ai o burrë. Paska vjedhur ai. Ku vidhen 83 mandate, 84 mandate? Nuk i ka vjedhur ai, po është Berisha andej që merr ky 34 mandate. Tani këto mandate ku do t’i çojë ky? Ku mund t’i fusi? Më thoni unë.
Pra nuk ta jep legjitimitetin as vota e vjedhur dhe nuk ta justifikon hajdutërinë në qeveri, as mungesa e alternativës nga ana tjetër. Mungesa e alternativës është problem që e zgjidh shoqëria.
A e zgjidh me partitë e reja, a e zgjidh me rini, a e zgjidh me protestë, a e zgjedh që e nxjerr Berishën vetë nga loja.
S’do të ta nxjerrin nga loja Berishën, as bëhet fjalë. Kush do jetë kryeministër ka vetëm dy mandate. Po qoftë se opozita nuk do të rinovohet, le të rrijë aty ku është. Ka forca të reja.
Pra shoqëria është mbajtur peng nga Edi Rama dhe nga propaganda e Edi Ramës që shpeshherë na ka çoroditur edhe ne duke thënë që Berisha na ka fajet.
Jemi i vetmi vend që kemi justifikuar 14 vjet banditizëm në fjalën e vërtetë të fjalës, grabitje sistematike, vjedhje sistematike e kemi justifikuar me ‘fajin e ka Sali Berisha’.
Kushti numër 1 është dorëheqje e panegociueshme e Edi Ramës. A, debati do ishte a kanë të drejtë ata?
A kanë fuqi ata? A kanë legjitimitet ata ta kërkojnë dorëheqjen e dikujt që ka 84 mandate, apo 86 sa ka me gjithë ato të Tom Doshit. Kjo është çështje tjetër.
Por ama, protesta ka treguar që çfarë, të gjithë ata që ka mbajtur në këmbë makinerinë e përbindshme të propagandës dhe të mashtrimit të Edi Ramës që ai është i pushtetshëm se fiton zgjedhje dhe se nuk ka alternativë në anën tjetër, çfarë po tregojnë qytetarët, e ka mbajtur peng dhe i ka shtypur një legjendë që sot e keni parë çfarë thotë.
Ma kanë fajin blogerët, ma ka fajin Irani, ma ka fajin Kazakistani, ma ka fajin Serbia, ma ka fajin Albini, ma ka fajin Tetova.
Pra, një njeri totalisht i çoroditur, dhe ju e dini shumë mirë s’ka nevojë t’jua them unë, që fundi i gjithë autokratëve kështu është, një delir dhe paranojë që shkon drejt rrjedhjes derisa e heqin zvarrë. Kaq.
Dhe nuk ka faj këtu as opozita, as njeri. Alternativat i ka mbytur Edi Rama dhe brenda partive të vet.
Mjafton të shikojë pamjet se si ulnin kokën burra dhe gra, sikur i kishe tredhur njeri, dhe dëgjonin gomarllëqet e atij që përdor prapë historinë e fëmijës së vet, që ka 30 vjet që e përdor dhe është politikani më i pafytyrë që mund të ekzistojë, për të bërë prapë viktimën e një historie që është viktimizuar para 20 e ca vjetësh.
Nuk e di, domethënë ata ulnin të gjithë kokën edhe dëgjojnë. Një njeri që ka guxuar të flasi edhe ai nuk është pjesë e grupit parlamentar.
Pra, kjo është mungesa e alternativës, ku dhe brenda partisë së autokratit të çmendur nuk guxon njeri t’i thotë o idiot, ik në shtëpi se na more në qafë dhe partinë dhe Shqipërinë’, tha Armand Shkullaku ndër të tjera.
