Krimi tjetër nën rrënojat e Teatrit

25 maji 2020.

Nga: Gazeta Mapo.

Interviste me specialistin Jaho Brahaj.

Zhdukja e trashëgimisë
Një panoramë më të qartë për këtë çështje e jep Jaho Brahaj, studiues i trashëgimisë kulturore. Gjatë bisedës me MAPO, ai shpjegon se humbja është e përmasave të mëdha. Më herët Brahaj i ka nisur një letër të hapur ministres së Kulturës Elva Margariti, ku e informon për dëmin që është bërë gjatë mëngjesit të 18 majit.

“Gardëroba ka pasur në përbërjen e saj kostume të trashëgimisë kulturore, sepse në kohën që është krijuar teatri deri në vitet ‘60 kostumet bliheshin origjinale. Mbaj mend para 50 vjetësh kam hyrë në skenën e teatrit dhe jam veshur për një rol figuranti në ndihmë të grupit teatral të OAN së Kadri Roshit, që në atë kohë e kishin përzënë nga teatri kombëtar dhe ishte në një ndërmarrje. Jam habitur nga pasuria e madhe që ndodhej aty. Por mbaj mend me saktësi për shembull bastunët që përdoreshin nga kategori të ndryshme të njerëzve, që mund të ishin njerëz të thjeshtë, qytetarë, fshatarë apo aristokratëve, të stilit rus, të stilit francez e të tjera. Dhe kjo ishte një pjesë e vogël e asaj që ndodhej aty. Veshjet tradicionale kombëtare nga më të përzgjedhurat kanë qenë aty, me qëndisje ari apo argjendi sipas trevave”, thotë Brahaj.

Por sipas tij një humbje e madhe janë dhe bobinat apo dorëshkrimet që kanë mbetur nën rrënoja.

“Kemi artefakte jashtëzakonisht të rëndësishme, kemi foto të para 80 vjetësh, kemi bobinat por mbi të gjitha kemi skicat skenografike të autorëve të vdekur, kemi skicat e kostumeve dhe proceset deri sa janë vënë në skenë. Aty kemi kujtesën tonë kombëtare të kulturës. Mos harrojmë që kemi dhe drama autentike, pasi dramat atëherë shpërndaheshin të shaptilografuara, ose ka pasur drama që pasi ka filluar procesi i punës janë ndaluar, apo kemi dhe drama që janë ndaluar në shtyp për çështje ideologjike dhe politike, dhe ata vetë s’i kanë pasur kopjet por ama në arkivën e teatrit kanë ekzistuar. U mundova t’i përmbledh sa më shumë, por dua të them që aty gjendet një pasuri e jashtëzakonshme, që lidhet me emocionet shpirtërore të atyre që e kanë parë teatrin, por dhe të atyre që kanë luajtur aty”, -thotë Brahaj.

Intervistoi: Armand Maho.