11 Shtator 2023

Nga: Gazeta Sot

Kreu i Kishës Ortodokse, Janullatos, duket se nuk i shërben vetëm Athinës, por edhe Moskës. Të paktën kështu pretendohet në disa reagime të ditëve të fundit, të cilat kanë bërë që Kisha Ortodokse të reagojë. Sipas “Orthodox Times”, Arkoni i Fronit Ekumenik Ilias Damianakis, ka akuzuar kishën se ka marrë para nga rusët.

“Ndërsa përpjekjet e oligarkëve ndërkombëtarë me interesa personale kanë kontribuar në rindërtimin ose restaurimin e mbi 250 kishave (në Shqipëri), fokusi i tyre duket se anon më shumë drejt këtyre përpjekjeve sesa respektimit të rreptë të Parimeve kanonike ortodokse”, ka thënë Damianakis, duke nënkuptuar rusët me termin oligarkë. Reagimi i tij vjen sepse Kisha Ortodokse Shqiptare nuk e kanë njohur Autoqefalinë e Kishës Ortodokse të Ukrainës.

Kjo duket se nuk është kapërdirë nga Janullatos, i cili ka reaguar sot me urgjencë. Kisha Ortodokse Autoqefale shprehet se ata nuk marrin para nga rusët.

“Kisha Ortodokse Shqiptare nuk është nën ndikimin e kishës ruse apo të ndonjë kishe tjetër dhe nuk pranon asnjë lloj kujdestarie të jashtme. As sigurisht që nuk toleron sugjerime dhe mësime nga kontrollorë të pakualifikuar të anëtarëve të Kishave të tjera Autoqefale lokale”, thuhet në deklaratë.

“Kisha Ortodokse e Shqipërisë në raportet e saj zyrtare ka publikuar faktet: “Gjatë rindërtimit të saj nga rrënojat janë ndërtuar mbi 160 kisha (të mëdha dhe të vogla), janë rinovuar 68 kisha dhe manastire që janë cilësuar si monumente kulture dhe restauruar dhe mbi 170 kisha ekzistuese janë restauruar”. Asnjë nga këto ndërtesa nuk është e lidhur me “oligarkët ndërkombëtarë” me origjinë ruse. Akuzat e këtij lloji janë thjesht një sajesë për të mbështetur gënjeshtrën se Kisha e Shqipërisë ‘e gjen veten brenda gypit të propagandës ruse’”, theksohet më tej.

Sipas mediave, Kisha e Shqipërisë është ndër kishat që nuk e kanë njohur Autoqefalinë e Kishës Ortodokse të Ukrainës që i ka dhënë Patriarkana Ekumenike.

Gjithashtu Kisha Shqiptare vazhdon të kërkojë që të mblidhet Këshilli Pan-Ortodoks, duke qenë në përputhje me qëndrimin e mbajtur nga Kisha e Rusisë.