13 Shkurt 2023

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka shprehur kritika ndaj qeverisjes, ku sipas tij, problemi kryesor është korrupsion

Në një intervistë për A2CNN, Braçe u shpreh se prej më shumë se 30 vitesh, korrupsioni ka mbetur një fenomen që haset shpesh, sidomos në sektorin e shërbimeve.

“Korrupsioni nuk është problem i qeverisë, është problem madhor në qeverisje. Shqipëria ka një problem konstant me korrupsionin në 33 vite dhe kjo e ka bërë një fenomen të qëndrueshëm në segmente të ndryshme te qeverisjes e ka bërë edhe kulturë veçanërisht në shërbime. Drejtësia është elementi kyç për të luftuar korrupsionin përtej modernizimit”, tha Braçe, duke shtuar se nuk ka asnjë vlerë që të hyjë dikush na burg nga nivele të larta teksa korrupsioni vijon me të njëjtin intensitet

Ndër të tjera, Braçe foli për kryetarë bashkish që blejnë vota, si dhe për një problem tjetër, jo domosdoshmërisht të lidhur me korrupsionin, atë që që ende zgjidhen mjekë për të qeverisur qytete.

“Çfarë janë këta deputetët apo kandidatë për deputetë apo kandidatë për kryetarë bashkie që blejnë vota janë njerëz që disponojnë para në rrugë informale, korrupsioni apo shmangie fiskale tatimesh e taksash. Janë të pandëshkueshëm ata. Konkurroj unë dot me ta? Jo, asnjëherë. Unë do bëj një sforco të madhe në fushatë të shkoj nga dy-tre herë në ato fshatra për të krijuar korrelacionin me ata njerëz që ata të mos i jepen e parasë që derdhet lumë për shkak të mos ndëshkimit nga strukturat e drejtësisë. Kjo e deformon demokracinë, mungesa e drejtësisë kundrejt parave të paligjshme e evazionit fiskal”, tha deputeti socialist, duke shtuar më tej: “Unë i çmoj shumë mjekët por në aspektin menaxherial mund të jetë një në 10 mijë i tillë që të jetë edhe menaxher i mirë përveç se mjek i mirë i ditur dhe që shërben. Si e shpjegoni ju që kandidojnë mjekë kohë pas kohe? Si deputet i kuptoj por si drejtues pushteti vendor si?! Kemi patur kryeministër por këta janë thjesht magnet votash por me pasojë në fund që mund të jetë një dështim…”, arsyetoi Braçe në një intervist për A2 CNN.

Sa i përket jetës parlamentare, ai tha se nuk preferon të jetë ushtar por luftëtar.

 “Jepu liri njerëzve dhe do jesh vetë i fortë. Jo vetëm janë më kreativë, por janë vetvetja. Një njeri që vihet në rresht dhe i thuhet ‘ti je ushtar’ natyrisht që nuk është vetvetja. Unë e urrej të jem ushtar jo se nuk e bëj dot luftëtarin, por luftëtari nga ushtari ka diferencë shumë të madhe. Luftëtari ka edhe lirinë brenda. Mendoj që ai grup parlamentar do të jetë i fortë kur liria të funksionojë”, tha Braçe.

Gazeta Panorama