31 Maji 2023

Deputeti, Dashnor Sula, ka cituar KLSH-në që sipas tij ka zbuluar se nga buxheti i shtetit janë vjedhur 770 milionë euro brenda një viti.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kjo është një vjedhje e madhe dhe institucionet e drejtësisë nuk duhet “t’i zinte gjumi” deri në gjetjen e autorëve.

Sula përmendi edhe rastet që janë shfaqur ku zyrtarët shtetërorë fshehin paratë në tubat e aspiratorëve.

Reagimi i Sulës:

Fakt/ 770 milionë euro të vjedhura nga buxheti shtetit, kush mban përgjegjësi?!

Shqiptarët nuk janë të varfër, por të vjedhur. Ky është një fakt që meriton vëmendjen e organeve të drejtësisë, por jo më pak edhe të qytetarëve.

Institucioni suprem i auditit (KLSH) ka zbuluar se rreth 770 milionë euro janë vjedhur në institucionet shqiptare.

Kjo është një vjedhje që për mendimin tim organet e hetimit nuk duhet ti zinte gjumi deri në gjetjen e autorëve. Aq më tepër që rastet janë shfaqur ku zyrtarët shtetërorë fshehin paratë në tubat e aspiratorëve.

KLSH nxjerr në pah disa fakte shumë të rëndësishme. ‘Fusha e parë ku ka pasur shkelje tek të ardhurat dhe kategorizuar si dëm ekonomik është ajo e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore’.

Kjo tregonë se pronat publike jepen pa studjim fizibiliteti, jepen me para nën dorë tek pushtetarët dhe përfitimi i qytetarëve të cilët janë të gjithë pronarë tek këto pasuri është zero.

Fakt tjetër është se sa i takon dëmit ekonomik në shpenzime, fusha që mban rekordin është ajo e investimeve dhe pas saj vijnë pagat, sigurimet dhe shpërblimet.

Kjo konfirmon denoncimet që vazhdimisht kemi bërë ne si opozitë për tenderat pa garë, për abuzimet e mëdha dhe për punësimet politike.

Janë të dhëna shumë të rëndësishme që së pari qytetarët duhet ti ndërgjegjësojë për të kërkuar llogari te qeverisja dhe organet e hetimit të hetojnë abuzimet dhe të vendosin para drejtësisë abuzuesit.