Kisha e shek.XII, trashëgimia shqiptare në kalanë e Tivarit. –

Dom Nikë Ukgjini – Konservimi dhe restaurimi i çdo objekti të mesjetës apo të antikitetit na rikthen në kujtesë, kohën e lavdishme të popullit tonë dhe atë të trishtimit që ndodhën pas, nga pushtuesit më pikant të njëpasnjëshëm, si: bizantinët, sllavët e tjerë e nga shek. XV, osmanet të cilët këta të fundit ndërprenë çdo fije të zhvillimit të vrullshëm në çdo drejtim të jetës sonë Arbërore. Si pasojë e këtyre ngjarjeve dhe atyre që pasuan pas vitit 1878 më Kongresin e Berlinit kur trojet tona iu shpërndanë fqinjëve, kthimi në identitet i çdo objekti të mesjetës jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë, mallëngjejnë pa masë. Të përfshirë me këto emocione, një grup intelektualësh nga Shkodra më 25 nëntor, morëm pjesë në ceremoninë kishtar më rastin e bekimit të Kishës së Shën Katarinës të posa restauruar në Tivarin e Vjetër, organizuar nga Kryeipeshkvi i Tivarit Mons. Rrok Gjonlleshaj. Në fjalën e rastit e mbajtur, duke përshëndetur edhe në gjuhen shqipe, ai shprehu gëzimin dhe falënderimin për Ministrinë e Kulturës dhe qendrës kulturore të Tivarit për këtë dhuratë të çmuar dhënë Kishës së Tivarit dhe kulturës. Gjonlleshaj u shpreh se, “Kisha e Shën Katarinës, na kujton edhe rrënojat të tjera dhe përgjegjësit që kemi për to. Por sidoqoftë na duhet t’i drejtojmë sytë drejt së ardhmes – sikur drejt qiellit nga ku do marrim shpërblimin tonë për veprat tona tokësore”.

I pranishëm, Nunci Apostolik Mons. Luigi Pezzuto, për Malin e Zi me seli në Sarajevë, tha se krishterimi në këto treva ishte para se të ndërtohej kjo kishë, në shek. XII-XIII. Morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Tivarit, Dushan Raiçeviq, dhe zv. Kulturës, Aleksander Dajkoviq, të cilët Kishën e Shën Katarinës Monument Kulture tani të restauruar e lanë në shërbim të besimtarëve të kësaj kryedioqeze, Pastaj morën pjesë ipeshkvi i Kotorrit, Imzot Illia Janiq, Imzot Zef Gashi, meshtar si dhe besimtar të ardhur edhe nga Ulqini e Tuzi. Kisha e Shën Katarinës, e stilit romano-gotike, sipas studiuesve malazezë, është një ndër katër kishat e mbetura nga pushtimet osmane. E ndërtuar në shek. XIV, në themelet e një kishe tjetër më të zgjeruar të shek. XII, nga gjurmimet arkeologjike të kryera gjatë restaurimit, pos elementeve të rëndësishme ilire, njëherazi është zbuluar së Kisha e Shën Katarinës, objekt i lidhur ngushtë me kishat e tjera në formën e një manastiri të urdhrave kishtare. Nga shtrirja gjeografike kuptohet së në afërsi të saj ka pasur, Kishën e Shën Nikollit e Shën Prendës dhe në distancë jo fortë të lart Katedralen e Shën Gjergjit, të cilën Turqit me rastin e pushtimit të Tivarit në vitin 1571, e patën shndërruar në xhami. Sipas relatorit të Selisë së Shenjte, Marin Bicit të vitit 1610, rreth e përqark kalasë e ndërtuar nga romaket dhe rindërtuar nga bizantinë në shek. IX, ka pasur edhe dhjetëra kisha të tjera të cilat turqit i shkatërruan dhe i tjetërsuan për nevojat e tyre ushtarake.

Sipas, Ivan Markoviq, para pushtimit osman në Tivar flitej, gjuha zyrtare latinishtja e italishtja e në popull shqipja dhe ajo sllave. Sipas Bicit në shek. XVI, shënohet ardhja masive e serbëve dhe malazezve nga malet duke ndryshuar strukturën e popullatës së këtij qyteti, të cilët deri atëherë ishin të gjithë katolikë. Se lidhja e shqiptarëve më këtë treva ka qenë evidente na dëshmon edhe kryeipeshkvi i Tivarit, Guillmo Adae, (1324-1341), i cili në vitin 1332 duke shkruar për evazionet serbe në këtë zonë, ka shkruar se shqiptarët janë katolikë dhe kanë gjuhën e vet dhe librat e veta. Prezencën e shqiptarëve na tregon dhe fakti së don Gjon Buzuku, për shkak te nevoja të besimtarëve të kësaj kryedioqeze, shkroi dhe Mesharin e tij në vitin 1555.

Nga ana tjetër, në Selinë e kësaj kryedioqeze e cila ishte pararoje katolicizmit dhe shqiptarizmit në këtë pjesë të Ballkanit, gjatë pushtimeve osmane dhe trazirave të Kishës serbe ortodokse, në krye të kësaj selie kanë qëndruar heroikisht, Gjon Bruno Harapi, Pjeter Mazreku, Gjergj Bardhi, Pjeter Bogdani, Mark Jorga, Lazer Vlladani, Gjergj Junku etj. Krahas kontributit të këtyre kolosëve, duke filluar nga shek. XI, besimi katolik është dëshmuar dhe është ruajtur, në fakt, me firo të ndjeshme, deri në ditët tona. Duke soditur kalanë e Tivarit dhe objektet të tjera trashëgimisë kulturore, kuptohet se historia kishtare interferon e ndërthuret me historitë e tjera: me historinë politike, ekonomike, sociale, kulturore duke na dhënë një rrëfim me shumë pamje, ku secila ndihmon të kuptohet tjetra dhe të gjitha së bashku formojnë një të tërë.

Gërmadhat kulturore flasin për marrëdhëniet e Kishës katolike shqiptare me “të tjerët”, në etni ose në besim, për përballjet dramatike të saj me botën e politikës, për kontributet e saj në fushën e kulturës e të ideve, për qëndrimet e saj ndaj idesë së kombit e të shtetit kombëtar. Kryedioqeza e Tivarit si pasardhës e asaj të Diokles e shek. V, sot edhe pse shumë e tkurrur ende mban gjallë frymën e krishterimit dhe të besnikërisë ndaj papatit dhe popullit të Zotit, i cili gjatë terë historisë mbajti mbi supe trazirat të egra ballkanike. Dëshmi e kaluarës së lavdishme është dhe inaugurimi i sotëm i këtij objekti fetar e kulturore, ku pas 447 viteve për të parën herë i mbushur më plotë emocione, celebrohej mesha lirshëm sipas ritit romak. Restaurimi dhe konservimi i Kishës së Shën Katarinës, në Kala të Tivarit, financuar nga qeveria e Malit të Zi, dhe realizuar nga ekipi restaurues “KOTO” e licencuar për këto lloj punimesh nga UNESKO e Bashkësia Evropiane, është një trashëgimi e shkëlqyer në kalanë e Tivarit, për kulturën dhe identitetin të populli tonë kombëtar. Ky monument është njeri ndër shumë monumente të tjera në trevat shqiptare në Mal të Zi, që presim të vihet dorë nga organet përkatëse, për t’i shpëtuar nga dhembi shkatërrues e kohës historike. Por, një kujdesje ndaj tyre qoftë dhe moralisht, mbetet të tregohet edhe nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë.