12 Tetor 2026

Këshilli i Europës rrëzon hartën territoriale të Edi Ramës, që shkriu 15 bashki me forcën e kartonit. Në raportin e Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës theksohet se kjo hartë u miratua pa konsultimin me banorët, duke shkelur një nga parimet më themelore të Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore. Në raport, konsultimet e bëra cilësohen formale, ndërsa si zgjidhje jepet ideja e referendumit. Raporti ngre edhe shqetësimin e centralizimit të pushtetit në duart e qeverisë qendrore dhe problemet e krijuara në kapacitetet financiare për shkak të mungesës së kompetencave.

Këshilli i Europës rrëzon Hartën e re Territoriale të Edi Ramës, të miratuar në mënyrë të njëanshme, duke përdorur në Kuvend forcën e kartonit. Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës ka publikuar raportin më të fundit për këtë hartë, duke theksuar se shkrirja e 15 bashkive është bërë pa u konsultuar me banorët e bashkive që preken, duke shkelur kështu një nga parimet kryesore të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore në Shqipëri.

Raporti shpreh shqetësimin se procesi i konsultimit për bashkimet komunale të propozuara sipas reformës nuk duket se ka siguruar pjesëmarrjen kuptimplote dhe në kohë të banorëve të komuniteteve përkatëse në procesin e vendimmarrjes, siç do të ishte në përputhje me frymën e Nenit 5 të Kartës.

Këshilli i Europës, teksa nënvizon veprime formale për të justifikuar shmangien e konsultimeve me banorët, deklaron se zgjidhje për këtë do të ishin referendumet lokale, me qëllim që banorët të shprehnin qëndrimin e tyre, teksa në këto bashki ka pasur protesta të vazhdueshme kundër Hartës së re.

Karta kërkon që kufijtë e autoriteteve lokale të mos ndryshohen pa konsultim paraprak me komunitetet lokale përkatëse, ndoshta me anë të një referendumi kur kjo lejohet me statut. Edhe pse legjislacioni vendas në Shqipëri nuk kërkon referendume lokale të detyrueshme për çështjet që kanë të bëjnë me ndryshimet e kufijve lokalë, ekzistojnë garanci ligjore për të siguruar konsultime paraprake me bashkitë përkatëse. Raportuesit paralajmëruan për rrezikun që, gjatë përgatitjes për reformën territoriale të planifikuar për vitin 2026, mund të zhvillohen vetëm konsultime formale, në vend të atyre thelbësore, nëse qeveria synon të përmbushë afatin e shpallur të zbatimit.

Raporti vë në dukje edhe prirjen për përqendrim të kompetencave te qeveria, burimet e pamjaftueshme financiare të pushtetit vendor dhe kapacitetet e kufizuara të bashkive.

Raporti gjithashtu vëren centralizimin e vazhdueshëm të kompetencave, burimet e kufizuara financiare, administrative dhe njerëzore komunale, si dhe mungesën e autonomisë së qarqeve.

Raporti nënvizon nevojën për të zbatuar reformën në përputhje me parimet e subsidiaritetit dhe decentralizimit, për të siguruar konsultim gjithëpërfshirës dhe efektiv mbi çështjet e vetëqeverisjes vendore, duke përfshirë ndryshimet e kufijve vendorë, për të forcuar kapacitetet financiare dhe administrative të bashkive dhe autonominë vendimmarrëse, si dhe për të përmirësuar kushtet e shërbimit për punonjësit e qeverisjes vendore. Gjithashtu, ajo fton autoritetet kombëtare të shqyrtojnë zgjedhjen e drejtpërdrejtë të anëtarëve të këshillave të qarkut dhe të ratifikojnë Protokollin Shtesë të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore mbi të drejtën për të marrë pjesë në punët e një autoriteti vendor, të nënshkruar nga Shqipëria në vitin 2016.