Audiot e zeza që groposin piramidën e Ministrisë së Mbrojtjes, te mashtrimet me prodhimet “Made in Albania” dhe trafiqet e armëve me Sudanin, zbardhen të tjera prapaskena nga afera që po “shkrumbon” ushtrinë

Ardi Veliu
13 Tetor 2026
Një nga aferat më të rënda financiare dhe ushtarake po trondit themelet e shtetit shqiptar, teksa në qëndër të skandalit janë anëtarët e skeduar të asaj që njihet si “banda e KAYO-s”, sikundër janë drejtuesi i kësaj shoqërie ushtarake Ard Veliu (i etiketuar si Ard “Kapteri”), ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi (i njohur si Ermal “Raketa” për shkak të lidhjeve me kompaninë “Guna Tactical”), si dhe ish-drejtori juridik i KAYO-s, Ardit Hysa (i njohur si “Fisheku”), akktualisht Sekretar i Përgithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes. Projektuar me pompozitet si një iniciativë strategjike që do të ringjallte industrinë ushtarake të vendit, shoqëria shtetërore KAYO u prezantua para publikut si garancia e sovranitetit për prodhimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve për ushtrinë. Por pas fasadës patriotike dhe deklaratave zyrtare, hetimet dhe denoncimet po nxjerrin në dritë një skemë me përmasa skandaloze: grabitjen e parave të taksapaguesve dhe faljen e pasurive publike në duart e partnerëve privatë.
Shteti paguan faturat, privatët marrin kontrollin
Struktura e krijuar nga Ministria e Mbrojtjes tregon se si shteti është futur në një marrëveshje ku financon me miliarda, por mbetet ortak në pakicë. Në kompani të tilla si Timak Defence, Advanced Arms Technology dhe M.K.D, KAYO zotëron vetëm 20% të aksioneve, ndërsa 80% e kontrollit u ka kaluar bizneseve private. Kjo do të thotë se shteti luan një dyfishtësi absurde: nga njëra anë është ortak me përqindje minoritare në kompaninë që shet, dhe nga ana tjetër është blerësi i vetëm që zbraz buxhetin e shtetit për të paguar porositë. Vetëm nga raportimet e Thesari-t, kompanitë e lidhura si KAYO dhe Guna Tactical kanë përfituar rreth 1.64 miliardë lekë (mbi 17 milionë euro). Ndërkohë, te Guna Tactical, ku shteti kishte fillimisht 51% të aksioneve, në maj 2026 iu shitën 2% partnerit privat, duke i dorëzuar atij kontrollin e plotë. Si të pa mjaftonin paratë cash, qeveria ka vënë në dispozicion edhe mbi 20 mijë metra katrorë pasuri publike.
Ortakët e dyshimtë dhe aksionet me çmime qesharake
Fijet e këtij rrjeti të lidhin direkt me të njëjtët emra biznesmenësh: Ron Yeffet dhe Arjeta Puca. Përmes kompanive TIMAK dhe UNO18, ata zotërojnë 80% të aksioneve në dy nga shoqëritë kryesore të përbashkëta me shtetin. Pyetjet e mëdha ngrihen rreth transaksioneve financiare: Yeffet hyri në TIMAK duke blerë 49% të kuotave për vetëm 49 mijë lekë (rreth 490 euro), pak javë përpara se kompania të lidhte partneritetin strategjik me shtetin. Po ashtu, te UNO18, i njëjti biznesmen i shiti Pucës gjysmën e kuotave për vetëm 50 lekë, raporton “vna.al”. Ndonëse pretendojhet se këto shifra përfaqësonin vetëm vlerën nominale të regjistruar, pyetja që mbetet është se si aksione të blera për disa qindra euro u kthyen brenda natës në dritën jeshile për të kontrolluar kontrata miliardash nga Buxheti i Shtetit.
Mashtrimi me etiketën “Made in Albania”
Deklaratat politike dhe realiteti në terren përplasen në mënyrë dramatike. Më 23 prill 2026, ministri Ermal Nufi deklaronte me krenari në Parlament se Advanced Arms Technology prodhonte armë që ishin “sot në përdorim në konflikte diku”. Por vetëm disa muaj më vonë, administratorja Arjeta Puca paraqiti një tablo krejt tjetër, duke i cilësuar pushkët, pistoletat dhe dronët si “plane për të ardhmen”. Në asnjë dokumentacion apo inspektime publike nuk është provuar ekzistenca e ndonjë linje reale prodhimi. Denoncimet ngrenë dyshime të forta se në kapanonet e kompanive nuk bëhet gjë tjetër veçse montim, saldim dhe modifikim i mjeteve të importuara. Etiketa “Made in Albania” u përdor thjesht si një fasadë propagandistike për ceremoni zyrtare, për të mbuluar faktin se nuk po ndërtohej asnjë industri vendase.
Audiot e zeza dhe hijet e trafikut ndërkombëtar me Sudanin
Ndërkohë goditja më e rëndë për këtë aferë erdhi nga publikimi i përgjimeve audio nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj. Në bisedat që i atribuohen Yeffet përshkruhet një rrugë tjetër nga ajo e prodhimit vendas: armët sigurohen jashtë, sillen në Shqipëri, ripaketohen si shqiptare dhe shiten më tej. Në këtë përshkrim përmendet Advanced Arms Technology. Në një tjetër bisedë të raportuar, personi i identifikuar si Yeffet diskuton biznesin e armëve në Sudan. Sipas transkriptimit të publikuar, ai thotë, në përkthim: “Mund t’i blejmë dhe t’i shesim”. Më pas shton se i duhet “dikush që të drejtojë bizneset në Sudan”. Bashkëbiseduesja e quajtur Tatiana përmend vështirësi me paketimin dhe lejet. Yeffet flet për kontaktet e tij në Sudan dhe thotë se Arjeta dhe persona të tjerë po punojnë me të atje. Të lexuara përballë deklaratës së ministrit për armë që përdoren në konflikte, këto biseda ngrenë dyshimin se armë të blera jashtë mund të jenë paraqitur si prodhime shqiptare.
Nëse provohet se origjina ose destinacioni janë fshehur dhe autorizimet janë shkelur, çështja merr përmasat e një tregtie të paligjshme përmes një vendi anëtar të NATO-s. Në atë rast, dëmi nuk do të kufizohej te buxheti, do të prekte edhe besueshmërinë e Shqipërisë për kontrollin e armëve që kalojnë përmes saj. Autenticiteti i audiove dhe nëse bisedat u kthyen në veprime mbeten për t’u provuar. KAYO u prezantua si projekti që do t’i kthente Shqipërisë aftësinë për të prodhuar armë. Sot, mes partneriteteve, pagesave dhe audiove, pikëpyetja është nëse po ndërtohej një industri apo po u sigurohej privatëve një klient që paguan me taksat tona.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
