15 Maji 2025

Nga: Rigels Seliman

Zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri kanë zgjuar reagime të forta në mediat gjermane, të cilat analizojnë jo vetëm rezultatin, por edhe gjendjen e demokracisë shqiptare. Edi Rama, që siguroi mandatin e katërt si Kryeministër, përshkruhet si një figurë e ndarë mes imazhit proeuropian dhe tendencave autoritare. Mediat theksojnë mungesën e një opozite të besueshme dhe përmendin përfshirjen e pushtetit në skandale korrupsioni e klientelizëm. Pra në sy të botës, Shqipëria paraqitet si një demokraci e dobët, ku pushteti konsolidohet përmes kontrollit mbi institucionet dhe mediat.

Konkretisht zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Duket se fitorja e 4 rradhazi e Edi Ramës si Kryeministër i Shqipërisë ka habitur jo pak mediat gjermane “Neue Zürcher Zeitung”, radio ‘DlF’ , “Frankfurter Rundschau” dhe Zeit, të cilët kanë analizuar atë se çfarë ka ndodhur me zgjedhjet në Shqipëri, ndërsa i kanë bërë një portret edhe Edi Ramës. “Neue Zürcher Zeitung” në artikullin me titull “Edi Rama do të jetë për herë të katërt Kryeministër i Shqipërisë – portret i një antikonformisti të përhershëm” nënvizon se nuk duhet të gënjehemi nga imazhi i Ramës si një i jashtëm në politikë. “Fituesi me gjasë i zgjedhjeve është një politikan i etur për pushtetin”, shkruan NZZ. Media gjermane shkruan se të dielën, 60-vjeçari Edi Rama fitoi zgjedhjet parlamentare për herë të katërt, sipas sondazheve fillestare në zgjedhje, duke e bërë atë një nga sundimtarët afatgjatë në Ballkan (Milo Gjukanoviç, Aleksandar Vuçiç, Milorad Dodik), të cilët janë shfaqur më shpesh që nga luftërat jugosllave.

Edhe pse Berisha punësoi një këshilltar të Trump i cili provoi një version të zbutur të sloganit MAGA (“Bëjeni Shqipërinë të Madhe”), kreu i PD-së nuk përbënte kërcënim për Kryeministrin në detyrë. Andreas Ernst pasi përmend suksesin e Ramës si kryetar bashkie i Tiranës, i referohet ndryshimit të kryeqytetit dhe thekson se në këtë bum ndërtimi në Tiranë përqëndrohet gjithçka shkon keq në Shqipëri. “Ekonomia e tarafeve jep leje ndërtimi për të vetët dhe dhënia e tenderave varet nga lidhjet politike, paratë e zeza dhe kthimi i favoreve.” NZZ hedh vështrimin edhe tek fitorja e pritshme e zgjedhjeve nga socialistët dhe thekson se “sistemi klientelist i lyer mirë i Ramës është një shpjegim për suksesin zgjedhor të socialistëve. Shpjegimi tjetër është kundërshtari i tij, 81 vjeçari, Sali Berisha.

Ndryshe nga Rama ai është një autokrat i tipit të vjetër, jo origjinal, kozmopolit apo sharmant.” Në artikullin e saj, “NZZ” e përshkruan Ramën si një politikan të etur për pushtet, që në politikë njeh vetëm miq dhe armiq. “Rama ngriti një aparat pushteti siç e njohin mjaft vende në rajon: Ai është kreu i një partie, që kontrollon administratën, gjykatat dhe mjaft media.” Rama portretizohet si vërtet proeuropian, artist jo konvencional që mirëpritet mjaft mirë në Bruksel, sepse politika është konform BE, por edhe mjaft i kontestuar. “Votimi i së dielës shihet si një test i rëndësishëm i disponimit në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, vijon media gjermane.

“DlF”

Ndërkohë “DlF”, radio gjermane, duke i kushtuar vëmendje situatës në Shqipëri pyet: “zgjedhjet në Shqipëri: Sa autoritar është Edi Rama”. “Edi Rama është në BE një mik i mirëpritur, dhe duket se si në aspektin ideologjik ashtu edhe në gjeopolitik qëndron i palëkundur në anën e Europës. Por kritikët tremben në aspektin se sukseset e Shqipërisë për temat që kanë lidhje me shtetin ligjor dhe demokracinë janë suksese vetëm në letër, dhe se vendi nuk është i gati për anëtarësim në BE. Kjo ka të bëjë edhe me Edi Ramën që tregon tipare autoritare”, raporton DlF.

“Frankfurter Rundschau”

“Frankfurter Rundschau” shkruan se kreu aktual i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, do të vijojë sërish detyrën, pas zgjedhjeve të 11 majit me një tjetër mandat qeverisës. Zinxhiri në dukje i pafund i skandaleve të korrupsionit që tronditi kabinetin e Ramës vetëm gjatë mandatit të tij të fundit ndoshta do t’i kishte kushtuar ish-basketbollistit mandatin e tij si kryeministër shumë kohë më parë në një demokraci të Evropës Perëndimore. Por jo vetëm PD-ja opozitare, e cila u përça nga lufta për pushtet, por edhe Sali Berisha, i cili nuk ishte më pak i diskredituar nga hetimet për korrupsion gjyqësor, bëri që shumë prej atyre votuesve të kualifikuar që shkuan të votonin t’i besonin përsëri Edi Ramës. Por fakti i pjesëmarrjes në votime në nivelin 42.2 përqind, tregon se shumë votues të zhgënjyer preferuan të qëndronin në shtëpi.

“Zeit” 

“Zeit” në artikullin e saj shkruan se pas zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri të dielën, po ravijëzohet një fitore e Partisë Socialiste (PS) të kryeministrit Edi Rama. Rama, 60 vjeçar, ka drejtuar PS që nga viti 2005 dhe kërkon një mandat të katërt radhazi si kryeministër. Gjatë fushatës elektorale ai deklaroi se do të vazhdojë përpjekjet për anëtarësim në BE në vitin 2030, në mënyrë që të gjithë shqiptarët të përfitojnë nga ‘të njëjtat të drejta si qytetarët e vendeve të tjera evropiane’. Rama është akuzuar vazhdimisht nga opozita për kontakte me krimin e organizuar, gjë që Rama e mohon.”