KARROCIERËT E KOSINËS. –

Nga: Elida Jorgoni.

Me rrasën e shekujve fantazëm u rikthyen në trojet mistike kapuçozinjtë; karrocierë eshtrash, mbuluar deri në grykë me pashpirtësi e histeri dhe me një urrejtje rrënqethëse, tokën e fjetur nisën të rrëmihin me thonj të paprerë, duke mbushur thasët me vello e pajë, me plumba e kafka fëmijësh.
Një varr këtu, më tej një pus dhe eshtrat përzihen…
Ushtarë të Panjohur. Gjithkund ”të rënë”, mbetur pazgjidhshmërisht në kufi të dy legjendave dhe një popull i tërë pyet vehten; ”A s’janë këtu varret e të parëve tanë?!”
Kush po ua shet eshtrat?!
Karrocierë të kohëve të mjegullta, që si fantazma kapërcejnë epoka të kryqëzuara shtrigane, që me fshesa rikthehen të spastrojnë troje të lira, dhënë këmbim të një identiteti të ri; një kafkë plot me monedha të falin me premtimin e heshtur të një “parajse” nën emra ushtarësh.
Një varr këtu, një kafkë më tej…
Syzenët rrëmihin, kasnecët bekojnë.
Më tej një flatër; a thua ishte engjëll, apo aty prehet yt atë, që qiejt ndërroi?!
Një emër këtu, një truall atje, të marrët rrëmihin dhe vehten dënojnë.
Gjahtarë të shpirtit, të gjakut harram; prej ç’nëne ju lindët, me ç’qumësht ju mëkoi vallë?!