Kalaja e Himarës, rinovim të infrastrukturës, ndërtohet edhe biletaria

Kalaja e Himarës ka ngjallur interesin e vizitorëve të ndryshëm. Vizitorë shqiptarë dhe të huaj kanë treguar interes për kalanë. Në vitin që lamë pas në kala janë bërë ndërhyrje në infrastrukturë. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se përveç ndërhyrjeve për rinovimin e infrastrukturës së kalasë është ndërtuar dhe një biletari.

“Kalaja e Himarës, një nga qendrat historike të vendit tonë, ka pasur rritje interesi nga ana e vizitorëve vendas dhe kryesisht të huaj. Për një shërbim më cilësor ndaj vizitorëve, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore – Vlorë, gjatë vitit 2019 rinovoi infrastrukturën, si dhe ndërtoi një biletari e cila shërben edhe si zyrë informacioni për të gjithë vizitorët”, shprehte ministrja Margariti, ndërsa ka postuar dhe pamje të kalasë në Himarë.

Lagja kala e Himarës, ose fshati i Himarës, është ndërtuar mbi kodrën e Barbakasë. Himara përbën një qytet me histori të gjatë, e cila fillon që në periudhën antike, shekulli XIII p. Kr. Ajo është vendosur mbi një kodër ku sot ndodhet lagjja kala. Kreshta shkëmbore është fortifikuar për herë të parë në shekullin XIII p. Kr. Më pas ndërtohet një tjetër fortifikim në shekullin V p. Kr., me mure të ndërtuar me blloqe gurësh poligonalë ndërsa në shekullin IV fortifikohet me mure të tipit trapezoidalë. Në shekullin IV- III p. Kr. Himara renditet midis qendrave të lulëzuara të bregdetit Akrokeraun, krahas Meandrias (Borshit).

Sipas të dhënave historike, muri i kalasë u ndërtua në fundin e shekullit V p. Kr., me blloqe gurësh të mëdhenj poligonalë. Midis mureve në anën lindore me gjatësi 800 metra dhe rrëpirës shkëmbore përfshihen disa banesa, të cilat kanë shfrytëzuar dhe i janë përshtatur kushteve të terrenit. Edhe në territorin brenda kalasë janë identifikuar shtëpi të periudhave të ndryshme, të cilat duke gjykuar në teknikat e ndërtimit janë konsideruar si pjesë integrale e kalasë.

Muret më të hershme të kalasë ruhen më mirë në anën lindore. Rruga që ngjitet për tek kisha kalon pikërisht poshtë një kulle të madhe të shekullit IV p. Kr. dhe vazhdimit të murit të ndërtuar me blloqe të mëdha guri gëlqeror, pa lidhje llaçi. Teknika e ndërtimit të mureve me blloqe poligonale dhe katërkëndëshe është e njëjtë me muret e Borshit dhe të kështjellave të mëdha kaone si Foinike, Buthroti, Çuka e Ajtoit. Gjatë shekullit VI kalaja u riparua nga Justiniani, i cili urdhëroi rindërtimin e kështjellës për të përballuar sulmet barbare të gotëve dhe hunëve.

Gazeta Sot