Kalaja e Drishtit, destinacion i preferuar i turizmit kulturor

11 Mars 2026
Kalaja e Drishtit është një destinacion i turizmit historiko-kulturor të zonës së Shkodrës.
Ajo ngrihet mbi luginën e lumit Kir, në pjesēn fundore të saj, dhe është një nga dëshmitë më të rëndësishme të qytetërimit mesjetar në arealin e Shkodrës.
Dikur pjesë e qytetit të fortifikuar të Drishtit, ajo shërbeu si pikë strategjike mbrojtjeje dhe si qendër e rëndësishme administrative gjatë Mesjetës, veçanërisht në periudhën e sundimit venedikas.
Edhe sot, muret dhe rrënojat e saj mbajnë gjallë kujtesën e një qyteti që kishte një rol të rëndësishëm në historinë e mesjetës arbërore.

Në zonë ka familje që presin e përcjellin turistët e huaj, të cilët kanë ardhur gjithnjë duke u shtuar.
E ndërtuar fillimisht si vendbanim i lashtë mbi rrugën tregtare Shkodër–Kosovë, Kalaja e Drishtit, mori funksionin e një fortesë mbrojtëse në antikitetin e vonshëm, duke qenë pjesë e zinxhirit të kështjellave që siguronin Shkodrën, si qendër e madhe politike dhe ekonomike në veri të Shqipërisë.

Në shek. XIII, nën ndikimin bizantin, Drishti u përforcua si një kështjellë strategjike, duke u bërë jo vetëm mbrojtëse e rrugëve tregtare, por edhe arenë përplasjesh mes fuqive që synonin kontrollin e Shkodrës dhe të hapësirave veriore iliro-shqiptare. Kështjella kaloi herë nën sundimin bizantin, herë nën principatat lokale shqiptare, për të qenë më pas në qendër të interesave të Venedikut dhe Perandorisë Osmane.
Kalaja e Drishtit, është shpallur “Monument Kulture” që prej vitit 1948.

