12 Qershor 2022

Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku u arrestua në Itali me 20 kilogramë kokainë. Ishte ky lajmi i bujshëm që pushtoi mediat këtë fundjavë. Kajmaku u arrestua në korrik të 2020-ës pasi ishte shpallur në kërkim për falsifikim dokumentesh për shkak të urdhrave që kishte firmosur pasi u shkarkuar nga detyra me vendim të KQZ-së.

Pas ndalimit në një spital privat në Tiranë ai u la i lirë për shkak të gjendjes shëndetësore, por që mesa duket nuk e ka penguar të merrej me një aktivitet akoma më të rëndë në vendin fqinj. Por teksa Kajmaku merrej me aktivitetin trafikut të drogës, një kompani e tij vijonte të merrte tendera nga qeveria.

Shoqëria “A.M.E 2020” është zyrtarisht në pronësi Merita Kajmakut, bashkëshorte e Agim Kajmakut. Kompania është krijuar në vitin 2008, me emrin “Kajmaku” shpk, në pronësi të ish-kryebashkiakut të Vorës. Pasi ai fitoi zgjedhjet pa kandidatë rivalë në qershor 2019, Kajmaku ia dhuroi të gjithë aksionet e kompanisë bashkëshortes së tij. Pasi Agim Kajmaku u shpall në kërkim për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit, shoqëria ndryshoi emrin, duke u quajtur “A.M.E. 2020”. Ky ndryshim emërtimi e ndihmoi familjen

Kajmaku që të vijonte të fitonte tendera publikë megjithëse pronari i saj real ishte i kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Në 30 dhjetor të vitit 2019, ndërkohë që Agim Kajmaku i fshihej policisë, kompania private e familjes së tij fitoi me vlerë 50 milionë lekë të vjetra për lulishtet e Qendrës Spitalore Universitare Tiranë, të zhvilluar nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Po ashtu, në maj të vitit 2020, kur Kajmaku ishte ende në kërkim, shoqëria ‘AME 2020’ fitoi rreth 70 milionë lekë të tjera nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës.

Një tjetër tender e ka marrë nga OSHEE sh.a me objekt “Mirëmbajtje e ambienteve të brendshme dhe taracës për OSHEE Group sh.a dhe për Drejtorinë Rajonale Tiranë/OSSH sh.a”, me vlerë 61,136 euro. Oferta më e lartë.

Dhe një tjetër nga Bashkia Fier me objekt “Blerje lule dekorative”, me vlerë 16,279 euro. Edhe ky tender me ofertën më të lartë.

Nga Alfapres