15 Shkurt 2023

Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass do të largohet nga posti i tij në fund të qershorit, gati një vit para përfundimit të mandatit të tij.

Banka Botërore bëri me dije përmes një deklarate këtë të mërkurë se Malpass, i cili u emërua në këtë post nga ish-presidenti amerikan Donald Trump, kishte informuar bordin për vendimin e tij për t’u larguar pas katër vjetësh “për të ndjekur sfida të reja”.

“Ka qenë një nder dhe privilegj i madh të shërbeja si president i institucionit kryesor të zhvillimit në botë, përkrah kaq shumë njerëzve të talentuar dhe të jashtëzakonshëm”, tha Malpass në një deklaratë.

SHBA-ja dhe aksionerët e tjerë të mëdhenj të Bankës Botërore i kanë bërë presion bankës gjatë vitit të kaluar për të rritur përpjekjet në përballimin e sfidave globale, duke përfshirë ndryshimet klimatike dhe varfërinë globale.

Ky presion u intensifikua pasi Malpass refuzoi të thoshte nëse ai besonte te ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu në një konferencë në shtator, pavarësisht insistimit të gazetarëve me pyetje. Më vonë ai tha se ishte keqkuptuar.

Javën e kaluar, Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen i kërkoi udhëheqjes së bankës që të zbatojë “shpejt” reformat për të lëvruar më shumë para për të adresuar ndryshimet klimatike.

SHBA-ja është aksioneri më i madh në institucionin financiar ndërkombëtar, i cili siguron financime për vendet në zhvillim.