JAVA E ARTIT NË EUROPË / Ekspozita madhore dhe rikthimi i mjeshtërve në muze e skenë

9 Shkurt 2026
Java e artit sjell në muzetë kryesorë të Evropës ekspozita të rëndësishme, nga portretet e Lucian Freud në Londërm te retrospektiva e Gwen John. Këto ekspozita theksojnë lidhjen mes artit klasik dhe atij bashkëkohor, duke eksploruar identitetin, historinë dhe shprehjen artistike.
Galeritë dhe muzetë kryesorë të Evropës po mirëpresin këtë javë disa nga ekspozitat më të rëndësishme artistike, duke sjellë në vëmendje emra të mëdhenj të historisë së artit, por edhe zëra bashkëkohorë që po riformësojnë mënyrën se si shohim identitetin, trupin dhe kujtesën kulturore.
Në Londër, National Portrait Gallery hap më 12 shkurt ekspozitën “Lucian Freud: Nga vizatimi në pikturë”, e cila ndjek procesin krijues të një prej portretistëve më të mëdhenj të shekullit 20.
Ekspozita tregon se si Freud e shndërronte vizatimin në pikturë, duke zbuluar rrugën e tij nga skica në kanavacë dhe vëmendjen ekstreme ndaj trupit dhe fytyrës njerëzore. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 4 maj.
Serisht në Londër, Barbican Centre prezanton një dialog të pazakontë artistik mes Lynda Benglis dhe Alberto Giacometti, duke krahasuar skulpturat e shkrira dhe provokuese të Benglis me figurat e holla dhe ekzistenciale të Giacomettit.
Ndërkohë, në Uells, National Museum Cardiff çel ekspozitën “Gwen John: Bukuri të Çuditshme”, kushtuar një prej artisteve më origjinale britanike të fillimit të shekullit 20. Gwen John, e njohur për pikturat intime dhe stilin e saj të përmbajtur, rikthehet simbolikisht në vendlindje përmes një retrospektive që vlerëson ndikimin e saj në artin modern.
Në Margate, Tracey Emin Foundation ekspozon veprat e piktorit Vincent Hawkins, i njohur për piktura ekspresive dhe emocionale, ndërsa në Edinburg, Royal Scottish Academy sjell ekspozitën “Historitë e Origjinës”, e cila rrëfen historinë e shkollave të artit në Skoci që nga viti 1826.
Në qendër të vëmendjes është edhe artistja Charmaine Watkiss, e cila përmes portreteve të grave me prejardhje afrikane dhe elementeve botanike, eksploron lidhjet mes Karaibeve, Afrikës dhe Britanisë, në kontekstin e tregtisë transatlantike të skllevërve.
Java e artit mbyllet me një vepër ikonike: “Portreti i një burri” nga Jan van Eyck, i vitit 1433, i ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Londrës.
